Qëndrimet e ndryshme mbi opinionin e Komisionit të Venecias kanë sjell dje reagimin e komisionit hetimor parlamentar. Secila palë e interpretonte raportin sipas interesit, e për këtë arsye nënkryetari i komisionit, Alban Zeneli, ka kërkuar që të ndalen qëndrimet. Sipas tij, i takon komisionit të interpretojë atë se çfarë thuhet në dokument. Ai shtoi se nuk duhet të lejohet politika e ditës dhe interesat e ngushta të partive dhe palëve që me retorika boshe, të panevojshme dhe interpretime partizane, të bëjnë pis apo dëmtojnë procesin.
“Është me rëndësi jetike për mënyrën sesi duhet të funksionojnë në demokraci institucionet dhe zhvillohen proceset që ne të mos biem pre e lojës së zakonshme politike e partiake të interpretimeve sipas anës që na pëlqen. Kuvendi i Shqipërisë ka mandatuar një Komision Hetimor për Çështjen e Presidentit të Republikës dhe askush nuk duhet të ndërhyjë në punën e këtij Komisioni Hetimor. Si Nënkryetar i këtij Komisioni Hetimor unë bëj thirrje për ndaljen e menjëhershme të çdo retorike politike mes palëve”, deklaroi Alban Zeneli. Gjatë fjalës së tij, nënkryetari i komisionit hetimor, siguroi qytetarët dhe partnerët ndërkombëtarë, për vijimësinë e pastër të këtij procesi. “Vetë procesi që ka hapur Kuvendi i Shqipërisë dhe procedurat për shkarkimin e Presidentit të Republikës, janë një çështje tejet serioze për një shtet serioz anëtar të NATO dhe aspirant për anëtarësim në BE. Si Nënkryetar i Komisionit Hetimor, dua të siguroj çdo shqiptar dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, se puna e këtij Komisioni dhe i gjithë procesi do të jenë të pandikueshme politikisht, të pastra dhe me integritet të plotë”, sqaroi ai.
Nënkryetari i komisionit hetimor theksoi se integriteti i punës është më i rëndësishëm se përfundimet e tij në fund të mandatit të tij. Ai e mbyll fjalimin e tij me një falënderim për Komisionin e Venecias, për kontributin dhe opinionin. Dy ditë më parë, u publikua në media vendimi paraprak i Komisionit të Venecias, për shkarkimin e presidentit të vendit, Ilir Meta, me akuzën se ka shkelur Kushtetutën, duke anuluar zgjedhjet e 30 qershorit.