Kryeministri Edi Rama ishte sot i pranishëm në shkollën “Besëlidhja” në Lezhë, ku inspektoi nga afër nismën “Bëjmë detyrat e shtëpisë”. Shkolla Besëlidhja është ndër shkollat e para ku u implementua kjo nismë. Me një total prej 748 nxënësish, shkolla i shërben kryesisht komunitetit të qendrës se qytetit.
Thirrjes për përfshirje në këtë nismë ju përgjigjen rreth 50% e nxënësve. 35 mësues të përzgjedhur janë angazhuar në këtë program dhe 358 nxënës janë regjistruar vullnetarisht në programin pilot dhe frekuentojnë klasat e pasdites.
Kjo nismë është një program për të gjitha ata nxënës që nuk arrijnë t’i përfundojnë në kohë detyrat e shtëpisë dhe që kanë nevojë për ndihmë që të arrijnë ritmin e bashkëmoshatarëve të tyre në përthithjen e njohurive. Pjesë e kësaj nisme do të bëhen 20 shkolla 9-vjeçare të pesë prej Drejtorive Arsimore Rajonale më të mëdha të vendit, në Tiranë, Elbasan, Lezhë, Fier dhe Korçë.
Kjo nismë është testuar nëpër takimet me prindërit, për të bërë një vlerësim me qasjen që ata kishin ndaj nismës. Secila nga shkollat ndërmori fushatë informimi, si dhe u plotësuan pyetësorë në lidhje me implementimin e nismës, duke prezantuar edhe draft-udhëzuesit e përgatitur.
Qëllimi i këtij programi është nxitja e frymës së bashkëpunimit në shkolla, si dhe përmirësimi i arritjeve të nxënësve përmes sigurimit të kohës, hapësirës dhe programeve shtesë që ofrohen pas mësimit për të gjithë nxënësit, duke i ndihmuar ata në kryerjen e detyrave të shtëpisë.