Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se dështimi në sigurimin e vaksinave nuk guxon të zëvendësohet me sulm e kërcënim ndaj mediave.
I pari i LDK-së ka kritikuar qeverinë e drejtuar nga Kurti, duke thënë se për një muaj nuk ka arritur dot të sigurojë asnjë vaksinë kundër Covid-19.
“Mediat kanë për detyrë të nxjerrin këtë të vërtetë; pushteti – që i ka krejt – ka për obligim t’i gjejë vaksinat. Fjalë e arsyetime kemi pasur plot. Punë s’po shohim dot. Kërcënimi s’është punë; e as që bën punë.
Dobët, dobët shumë. 1 muaj qeverisje, 293 kosovarë të vdekur, 0 vaksina. Kjo është e vërteta. Në këtë të vërtetë të dhimbshme duhet të fokusohet energjia e pushtetit”, ka shkruar ai në Facebook.
Kosova nga fillimi i epidemisë ka raportuar në total 2061 humbje jete, ndërsa mjekët kanë konfirmuar se shumica e tyre kanë qenë me sëmundje të tjera bashkëshoqëruese. Ajo që mbetet shqetësuese në vend është edhe numri i rasteve aktive.
“Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 641 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 86.483 raste, kurse numri i rasteve aktive është 12.609”, njoftoi IKSHPK-ja.