Ilir Meta ka bllokuar përfundimisht shpalljen e datës së zgjedhjeve vendore në 6 bashki pa kryetar në vend. Gjykata Kushtetuese vendosi të lërë në fuqi 30 qershorin duke i hapur rrugë zgjedhjeve të pjesshme.
Vendimi i Kushtetueses u zbardh në datën 2 dhjetor dhe sipas Kushtetutës dhe ligjit brenda 45 ditësh presidenti duhet që të shpallte zgjedhje të reja. Por, ky afat ka kaluar dhe nuk ka asnjë lëvizje nga ana e presidentit Ilir Meta.
Ndërkohë, nga ana tjetër presidenti Ilir Meta, duket se nuk e njeh vendimin e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet e 30 qershorit 2019. Duket se mosnjohja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe qëndrimi i tij për zgjedhjet vendore, bëri që presidenti të mos caktojë një datë për zgjedhje të reja dhe të mos e zgjidhë ngërçin e krijuar në 6 bashkitë e mbetura pa kryetar, pavarësisht vendimit të zbardhur të Gjykatës Kushtetuese që legjitimoi garën vendore të 2019.
Presidenti i Republikës, pak kohë më parë u shpreh se nuk janë respektuar hallkat ligjore për njoftimin e tij për vakancat e krijuara. Vendimin e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet lokale të 30 qershorit të vitit 2019, e cila rrëzoi kërkesën e Shoqatës së Bashkive, të cilat pretendonin jo kushtetuetshmërinë e zgjedhjeve, presidenca e ka cilësuar si zhgënjyes dhe për interesa kundër popullit shqiptar.
Nga presidenca, u tha se gjykata nuk pati vullnet ta zgjidhjet këtë çështje përmes juridiksionit gjyqësor kushtetues, por ia la sërish çështjen, juridiksionit politik. Kujtojmë se, zgjedhjet e 30 qershorit u bojkotuan nga opozita, por ato u mbajtën në datën e caktuar, pavarësisht se presidenti Ilir Meta e anuloi atë, duke vendosur një datë tjetër.
Në dy opinionet për Shqipërinë, Komisioni i Venecias ka vënë në dukje se bojkoti elektoral nga partitë politike, edhe nëse ato përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të elektoratit, nuk mund të parandalojë mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta.
6 bashkitë që janë pa kryetar
Ndërkohë, vend janë 6 bashki të cilat kanë mbetur pa kryetar nga zgjedhjet e 30 qershorit. E para bashki që mbeti pa kryetar të zgjedhur nga procesi zgjedhor i 30 qershorit 2019 ishte qyteti i Shkodrës. Bashkia tjetër pa kryetar është edhe qyteti i Durrësi, pasi ish-drejtuesja e qytetit bregdetar, Valbona Sako, dha dorëheqjen. Ndërsa, një tjetër bashki e cila ka mbetur pa kryetar është edhe Bashkia Vorë. Kjo bashki mbeti pa kryetar në nëntor të vitit 2019, kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shkarkoi nga detyra Agim Kajmakun.
Ndërkohë, në listën e bashkive të cilat janë pa kryetar është edhe Bashkia Dibër pasi ish- kryetari i kësaj bashkie vendosi që të jepte dorëheqjen. Ndarja nga jeta për shkak të një infarkti e Haxhi Memollës, në shkurt 2020, la pa drejtues të zgjedhur edhe Bashkinë e Rrogozhinës. Në korrik 2021, pa kryetar mbeti edhe Bashkia e Lushnjës, ku Fatos Tushe u shkarkua nga detyra me vendim qeverie pasi u akuzua për korrupsion./SIDORELA BRAÇJA