Bilanci i reformës në drejtësi në 10 vjet, rezultatet dhe problematikat, në analizën e ish-prokurorit Eugen Beçi, në një intervistë për gazetën TemA. Ai komenton ngjarjen më të fundit të ndodhur në Gjykatën e Elbasanit, ku u ndalua një avokat për shkak të përplasjes me prokurorin, dhe ku gjyqtari, sipas ish-prokurorit, nuk i qëndroi rolit institucional. Një sallë që u dominua padrejtësisht nga prokurori, duke shkelur ligjet dhe duke shkaktuar kështu një precedent me shumë rrezik në sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Një analizë për “arrogancën” e prokurorëve, që buron prej aulës që rrethon SPAK-un, që padyshim, sipas ish-prokurorit, ka rezultate mjaft domethënëse, veçanërisht në fushën e pandëshkueshmërisë.
Eugen Beçi flet për proceset e rëndësishme që kanë ndodhur gjatë kohëve të fundit, zyrtarë e ish-zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar në prangat e SPAK-ut. Flet për proceset e arrestimit dhe të tjerat që i pasuan, duke analizuar respektimin ose jo të ligjit. Beçi analizon procesin e arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, deri te shkarkimi i tij dhe përplasja institucionale që e pasoi. Ironizon qëndrimin e presidentit, veçanërisht në reagimin e këtij të fundit pasi Gjykata Kushtetuese dha vendimin për pezullimin e procesit dhe zhbëri dekretin e presidentit për shpalljen e zgjedhjeve në Tiranë.
Beçi thotë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese vendosi pak dinjitet në këtë shtet. Duke analizuar historinë e reformave në drejtësi e të tjera që janë tentuar të kryhen në këtë periudhë tranzicioni, ish-prokurori rrëfen përvojën e tij me dosjet e hetimeve, ku ka ndeshur emra zyrtarësh shumë të lartë të angazhuar si bashkëpunëtorë në shërbimet sekrete të vendeve jo mike, si p.sh. Rusia apo Irani.
Sa i përket rezultateve të reformës në drejtësi, ai flet për statistika domethënëse, siç është stoku i çështjeve të patrajtuara apo edhe shifrat e pafajësisë, si tregues që sistemi funksionon. Ai thotë se në Shqipëri niveli i pafajësisë në çështjet gjyqësore është 2–4%, ndërsa në vendet e Perëndimit kjo shifër është dhjetë herë më e lartë. Ai thekson se jo gjithmonë ndëshkimi është drejtësi, ndaj duhen respektuar të gjithë elementët e gjykimit. Beçi e ka cilësuar reformën në drejtësi jo më si reformë, por si evolucion.