Prej kohësh opozita duket qartë se po kalon një gjendje të rëndë, sa nga kriza e përfaqësimit brenda saj dhe natyrisht dhe sa nga fakti se mbështetja në popull për të sa vjen e rrudhet.
Thirrje për vetëgjyqësi ka bërë sot kryetarja e LSI Monika Kryemadhi gjatë një takimi me strukturat e forcës që drejton në Cërrik, ku u ndal të komentojë aktualitetin politik.
Sipas saj, krimi e ka mbërthyer vendin për shkak se ka përkrahje politike. Kryemadhi kërkoi mbështetjen e banorëve të Cërrikut për të rrëzuar Ramën, të cilin e bën përgjegjës për situatën.
“Ky kryeministër po ju bën keq shqiptarëve. Ata sot janë më të varfër, më pak të punësuar. Kemi një kryeministër që gënjen, shëndetësinë falas e ktheu në shëndetësinë më të shtrenjtë në rajon. Kemi një taksë që rritet më shumë. Ç’na ka ngelur tjetër? Të bëjmë vetëgjyqësi se me votë dhe logjikë nuk merr vesh ai. Ky njeri çdo gjë e ka ndërtuar në bazë të pazareve dhe tarifave. Ky njeri po licenson bandat duke iu dhënë pushtet e para. Taksa e këtyre bandave është vetëm dita e zgjedhjeve. Nëse bashkohemi nuk do të ekzistojnë më bandat dhe as pushteti i Ramës”, tha Kryemadhi.