Politologu Albatros Rexhaj ka kritikuar ashpër qëndrimet e opozitës shqiptare, duke e akuzuar atë se po dëmton kredibilitetin e vendit në arenën ndërkombëtare dhe po pengon procesin e integrimit europian.
Në një reagim në rrjetet sociale, Rexhaj shprehet se kritika ndaj qeverisë është legjitime dhe pjesë e demokracisë, por thekson se, sipas tij, avokimi kundër interesave të Shqipërisë përpara partnerëve strategjikë përbën një qasje të papranueshme.
Ky reagim i tij vjen pas një postimi të deputetes Jorida Tabaku, lidhur me një takim të zhvilluar së bashku me Gazment Bardhi në Ministrinë e Jashtme Federale të Gjermanisë, ku ata u pritën nga Ministri i Shtetit për Europën, Gunther Krichbaum.
“Nga përvoja ime në organizata ndërkombëtare, e di mirë sa punë bëhet kundër Shqipërisë nga ata që nuk na duan mirë historikisht. E di gjithashtu çfarë vlere kanë zërat shqiptarë që konfirmojnë narrativat e tyre, sepse i legjitimojnë ato në mënyrën që propaganda e huaj nuk mund ta bëjë vetë,” – shkruan Rexhaj në reagimin e tij.
Më tej, ai shton se Partia Demokratike nuk po funksionon si opozitë konstruktive, por si një forcë politike që, sipas tij, synon rrënimin e imazhit të Shqipërisë jashtë vendit.
“PD sot nuk funksionon si opozitë konstruktive. Funksionon si forcë politike që misionin kryesor e ka rrënimin e kredibilitetit të Shqipërisë dhe pengimin e integrimit europian, pikërisht atëherë kur ky integrim kërkon unitet dhe argument, jo akuza të destinuara për konsum të jashtëm,” – vijon Rexhaj, duke e cilësuar këtë qasje si “vetëshkatërrim”.
Muajt e fundit opozita ka ndërmarrë një tur vizitash në vende të ndryshme europiane, ku ka denoncuar qeverinë shqiptare dhe u ka bërë thirrje partnerëve ndërkombëtarë të bllokojnë procesin e integrimit, me argumentin se Shqipëria nuk i ka përmbushur kushtet e kërkuara. Kjo qasje, përtej përplasjes së brendshme politike, po shihet nga kritikët si një strategji që rrezikon të dëmtojë kredibilitetin e vendit në arenën ndërkombëtare dhe të ndikojë negativisht në rrugën e tij drejt Bashkimit Europian.




