Kombëtarja shqiptare e futbollit fitoi të enjten 0-1 në Andorra me golin e Kristjan Asllanit, duke siguruar për herë të parë pjesëmarrjen në play-off e Kupës së Botës 2026. Pas ndeshjes për ‘Supersport’ foli Rey Manaj, i cili luajti 77 minuta dhe u zëvendësua nga Tuci. Lushnjari ia dedikoi këtë sukses edhe Ylli Mihalit, ish-fizioterapisti që shërbeu në ekipin Kombëtar për 27 vite. Mihali u nda nga jeta më 13 shtator 2021 pasi u prek nga Covid-19.
“E dinim që në fillim që do të ishte ndeshje e vështirë. Kishte tre ditë që ndihej tension i ndeshjes. Në pjesën e parë donim të bënim gol që në fillim, por shyqyr që futi atë topin Uzuni dhe Asllani e zhbllokoi rezultatin. Në ndeshjen e parë që luajtëm ndaj Anglisë, pësuam humbjen 2-0, kemi 8 ndeshje pa humbur. Sot (dje) nuk bëmë ndeshje të mirë, por me karakter treguam se të gjithë lojtarët donin të fitonin.
Xheloz pë golin? Vetëm Shqipëria të eci para, pak rëndësi ka kush shënon. Unë jam i kënaqur, këtu jemi në Kombëtare, s’ka asnjë lloj xhelozie. Shpresoj që Asllani të shënojë dhe shumë gola të tjerë me këtë fanellë. Nuk e pashë çfarë ndodhi me Brojën, është e kotë të mashtroj. Isha i përqendruar te festa me skuadrën. Të gjithë ndihen mirë, të gjithë çunat janë në harmoni.
Duam të ndihmojmë çunat e rinj si Berisha, Pajaziti etj. Ne jemi këtu edhe për t’i mbështetur në momente të vështira, jo vetëm për të fituar. Meritojnë 40 lojtarë të vijnë në ekip. Kombëtarja është gjithmonë me faza, trajneri ka zgjedhur të aktivizojë lojtarë të tjerë. Jemi profesionistë, vetëm kështu arrihet Botërori. Po nuk pati harmoni dhe grup është e vështirë.
Sot (dje) pashë disa foto të Ylli Mihalit, doja ta kujtoja. Na preku të gjithëve, sidomos familjen e Yllit, që e përshëndes. Këtë fitore ia dedikoj atij dhe mbesës së vogël”, tha Manaj.






