Biznesmeni Rezart Taçi, i cili është shpallur në kërkim nga SPAK për një sërë akuzash do të vijë për punë ditësh në Shqipëri dhe do të dorëzohet. Lajmin e ka bërë të ditur vetë Taçi në një lidhje telefonike me “Radari Informativ” në ABC me Jonida Shehun.
Ndërsa theksoi se nuk ka kryer asnjë lloj shkeljeje, biznesmeni tha se do të vijë në Shqipëri që të arrestohet dhe siç u shpreh ai, “t’i japë kënaqësinë” dikujt që po shpenzon para për të lobuar kundër tij.
“Do të vij në Shqipëri që t’i jap kënaqësinë dikujt që të jem i arrestuar për ca kohë, që të kënaqën disa persona dhe ta mbyllin, të mos harxhojnë para të pista”, tha ai
I pyetur se kur do të vijë, Taçi tha se do të jetë në vend për punë ditësh ndërsa shtoi se ka besim tek drejtësia shqiptare.
Ai ka hedhur poshtë akuzat e bashkëpunimit me një grup të strukturuar kriminal dhe për pastrim parash.
Ai ka shpjeguar versionin e tij duke thënë se është kontaktuar nga një mik i tij se një ekonomist dëshironte të hapte një llogari në Tiranë. Sipas Taçit, ai e ka udhëzuar që të ndjek rrugët ligjore dhe kështu ka ndodhur, ku paratë janë transferuar nga një bankë në zviceriane në një bankë në Shqipëri.
Taçi pranon se ka kontaktuar kunatin dhe body gardin e tij për të shoqëruar personin që hapi llogarinë bankare në Tiranë dhe kreu transaksionin. Sipas tij dy të afërmit e tij kanë kryer vetëm rolin e shoqëruesit.
Taçi mes të tjerash ka treguar se në vitin 2012-2013 kur sipas tij nisi një persekutim, ai kishte kontaktuar motrën e presidentit aktual të SHBA, Valerie Biden për të kërkuar që të ndalnin sulmet ndaj bizneseve të tij. Ai ka deklaruar se momentalisht ka kontakte dhe bashkëpunim me familjen Biden, dhe me familjet e dy ish-presidentëve të SHBA.
“Kam kontaktuar dhe u kam thënë bëni shoqëruesin. Shoferin e zotërinjve që po e hapnin llogarinë. Se dhe ata nuk kanë pushtete për të hapur llogari dhe po ta kishin bërë nuk janë certifikues se çfarë parash kanë ata të pastra apo të pista. Është persekutim se nuk kam deklaruar për të mbajtur familjen e presidentin e SHBA jashtë kësaj situate.
Në 2012-2013, kam kontaktuar motrën, me zv.presidentit Biden që sot është president dhe kam kërkuar ndihëm që të ndërhyjë. Edhe Valeri Biden është e organizatës kriminale?
Se edhe ajo i bie të jetë. Ajo ka ardhur në Shqipëri dhe është takuar me Sali Berishën në atë kohë kryeministër i ka kërkuar të mos persekutohem unë. Bashkëpunojë me SHBA.
Jam në kontakt me familjen Biden, me dy ish-presidentë. Nëse Biden dhe familja e tij nuk di me kë bashkëpunon nuk di çfarë të them. Nëse nuk ka dokumente për të certifikuar nuk e di ca të them.
Nëse Tony Blair nuk e di me kë bashkëpunon nuk di çfarë të them. Shumë kryeministra të vendeve të ndryshme. Nëse unë penalizohem se jam sipërmarrës me vlera. Kam pasur 3400 bashkëpunëtor” tha Taçi.
Flitet për një hetim ku bashkëpunon pala shqiptare me atë italiane? Ka një përgjim?
“Është injicuar nga prokuroria shqiptare. Prokuroria Palermos ka 30 vjet që heton zotin Zumo. Dhe ky individ i tillë nga hapja e llogarisë ka hapur proces dhe për të kuptuar se pse e hap llogarinë. Por roli im cili është. Kush është ndihma ime institucionale. Por nuk i njoh. Nuk kam bashkëpunuar.
Kunati juaj dhe body gardi juaj e kanë ditur se për kë do të hapej llogaria me 19 milionë euro?
“Nuk është detyra e tyre. Janë shoferë nuk kanë formimin për të ditur. Janë drejtues të një mjeti si shoqërues dhe familjarë të mi. Thjeshte si shoqërues. Dhe nuk e certifikojë dot parat e pastra apo të pista. Nuk kanë pozita. Zotria hapi llogarinë dhe bëri transfertë ligjore nga një bankë zviceriane me një korrospodent gjerman. Ka marrë parat e tij nga llogaria e tij.”
Pse do e hapte llogarinë në Shqipëri? Të ka thënë miku juaj?
“Sepse do të ikte nga Italia dhe të jetonte në Shqipëri. Ka pasur lek të lira në Zvicër dhe në mënyrë ligjore i ka sjellë këtu. Është transfertë ligjore dhe nuk kanë bërë asgjë të paligjshme në Shqipëri, unë s’jam avokat i tyre. Po ku e dija unë dhe po ta dija se janë të pista pse nisen nga sistemi bankar” tha Taçi.
Kujtojmë se Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë ka shpallur në kërkim biznesmenin e njohur të hidrokarbureve.
Dy bashkëpunëtorë të tij Artur Balla dhe Bledar Lilo janë arrestuar në orët e para të ditës së sotme. Së bashku me katër italianë, biznesmeni shqiptar dhe dy bashkëpunëtorët e tij akuzohen për pastrim parash dhe grup të strukturuar kriminal. SPAK ka bllokuar mbi 18 milionë euro.