Në mbështetje të protestës madhështore që do të zhvillohet në Tiranë për të kërkuar lirinë e ish-krerëve të UÇK-së më datë 17 tetor, platforma ‘Liria ka Emër’, ka organizuar një marshim simbolik me motorë, të cilët do të nisen nga Shqipëria drejt Hagës.
I ftuar në emisionin ‘Shtypi i Ditës dhe ju’ në Report Tv me një lidhje direkte, Ismail Tasholli i ‘Liria ka emër’, tregon se nisja simbolike është bërë sot nga Prekazi dhe gjatë rrugës do të bashkohen dhe grupe të tjera. Tasholli thotë se grupi që do të mbërrijë në Hagë do të jetë i përbërë nga 150-200 persona.
Ai thotë se pas Hagës, një tjetër kërkesë simbolike do të dorëzohet në Parlamentin Europian në Bruksel për të kërkuar transparencë nga Gjykata e Hagës.
“Sapo kemi filluar marshimin simbolik nga Prekazi, tani jemi tek pjesa e masakrës së Poklekut. Për të vazhduar më tej drejt Shqipërisë dhe në Europë për të mbërritur në Hagë. Qëllimi është simbolik për të përcjellë mesazhin për drejtësi në Hagë, jo interferim. Kjo simbolikë është organizuar prej platformës, Liria ka Emër.
Do nisemi nga Shqipëria e më pas në Itali, më pas në Zvicër ku do të bëjnë dhe gjumin. Më pas do të shkojmë në Gjermani ku do të pushojmë dhe aty një natë, dhe nga aty më pas do të shkojmë në Hagë. Në Hagë provojmë të mbërrijmë në mesditë më pas do të nisemi për në Bruksel sepse do t’i dorëzojmë dhe një kërkesë Parlamentit Europian për transparencë sepse kemi brenga të faktuara që ajo gjykatë transparencën nuk e ka formë të komunikimit me Kosovën. Në Kosovë bëhemi 30-40 vetë, më pas gjatë rrugës besoj do të jemi 150-200 motoristë”, tha Tasholli.
Ky organizim i gjerë i shqiptarëve nga çdo trevë e Shqipërisë vjen pasi një procesi gjyqësor që po zgjat prej vitesh në ngarkim të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët prej 2020-s mbahen në dhomat e paraburgimit në Hagë të akuzuar për krime lufte.