Juristi Romeo Kara ka paralajmëruar se dosja e aferës së privatizimit të OSSH dhe dosja për marrëveshjen CEZDIA, shumë shpejt do të jenë në Kongresin Amerikan. Duke folur për gazetën sa i takon rihapjes së hetimeve për padinë që ai ka bërë ndaj Berishës dhe ish-ministrave të tij, por dhe kalimit të dosjes te Krimet e Rënda për çështjen CEZDIA, juristi i OSHEE ka thënë se është ende skeptik nëse drejtësia shqiptare do e zbardhë të vërtetën. Dje gazeta deklaroi se për aferat e CEZ në Shqipëri do të angazhohet dhe shteti çek për të dhënë informacione. Por zoti Kara ka dhënë detaje mbi informacionet që mund të japë Praga. Sipas tij, informacionet më të shumta janë sa i takon marrëveshjes CEZ-DIA. “Duke zgjatur kaq shumë kohë kjo çështje pa u hetuar dhe pa u çuar në gjykim, Berisha dhe Meta i kanë pasur të gjitha mundësitë që të shkatërrojnë provat në Çeki apo gjetke. Megjithatë ata kurrë nuk do të mund të rrëzojnë thelbësoren e asaj çfarë është zbuluar. Padyshim që pala çeke do të jepte një kontribut të rëndësishëm në këtë çështje. Korrupsioni ka qenë i dyanshëm dhe i shtrirë në të dyja vendet. Unë kam kallëzuar penalisht tre drejtues çekë të ÇEZ-it, të cilët sot janë të lirë në Çeki. Po kështu hetimet mbi transaksionet rreth 6.8 ml euro të cilat i ka marrë nëpërmjet palës çeke Nuel Kalaj, do të zbardhnin më në detaje pjesë të rëndësishme të dy megaaferave. Pala çeke mund të hedhë dritë edhe mbi aspekte të tjera si p.sh vizitat e Metës me Ismailajn në Çeki, aksidentin automobilistik lidhur me ish ambasadorin Tepshi, mënyrën e futjes në loje të Nuel Kalajt dhe Kastriot Ismailaj etj. Janë shume aspekte të rëndësishme që mund dhe duhet të zbardhen nga pala çeke”, tha Kara në një prononcim për gazetën.
Dosja në SHBA
Skandalet e CEZ në Tiranë u zbuluan nga juristi Romeo Kara. Në prokuroria i ka bërë disa padi, ku dy janë më kryesoret: Njëra ndaj Berishës dhe ish-ministrave të tij dhe një tjetër padi për marrëveshjen CEZ-DIA për mbledhjen e borxheve. Në këtë padi ai ka kallëzuar presidentin Meta dhe ish-kryeministrin Berisha si përgjegjës kryesorë. Për padinë e fundit dosja është nën hetim dhe ka kaluar te Krimet e Rënda. Sa i takon padisë së parë, ajo u mbyll nga Adriatik Llalla, por të premten rinisën hetimet. Kara ka deklaruar se shumë shpejt dosjet do ua dorëzojë disa kongresmenëve amerikanë. “Do ta ndjek vetë me shumë kujdes këtë proces, i cili është i veçantë në llojin e tij. Ky proces do të vërë ne prove reale edhe vetë integritetin dhe profesionalitetin e prokurorëve që do të përfshihen në hetim. Pa parë rezultatet reale, nuk dua të flas, për mirë apo për keq. Një gjë është e sigurt: Çdo shmangie nga e vërteta do të kontestohet fuqishëm, pasi janë disa aktorë që e kanë tashme në dorë këtë dosje. Së shpejti kjo dosje do të shkojë edhe në Kongresin Amerikan. Ata do të informohen me këtë realitet, ku edhe pse provat janë të qarta, keqbërësit, jo vetëm që nuk arrestohen dhe t’u sekuestrohen pasuritë, por na bëjnë politikë aktive, bile edhe vetë reformën në drejtësi. Kur të arrestohen keqbërësit dhe autorët e këtyre dy aferave dhe të sekuestrohen pasuritë e tyre, atëherë do të besoj se rifillimi i hetimeve është në rrugë të mbarë”, tha ai. Avokati u shpreh se nëse prokurorët e çështjeve do të bëjnë kompromis me politikën, atëherë ky do të jetë rrengu i radhës. Sipas tij, mos arrestimi i Berishës, Metës, Rulit etj, i pengon për më gjatë hetimet dhe çon në prishjen e provave.