Dy kantautorët Ermal Meta dhe Fabrizio Moro kanë komentuar në një konferencë shtypi çështjen e këngës së tyre “Non mi avete fatto niente”, e cila u cilësua si plagjiaturë.
Pas pezullimit nga gara dhe analizave të shumta, Rai vendosi që këngëtari shqiptar dhe ai italian të riktheheshin në “Sanremo 2018”.
“Të gjithë e dinë se çfarë ka ndodhur këto ditë. Ju të gjithë na njihni: jemi dy kantautorë. Bëjmë këtë punë prej një kohe shumë të gjatë, jemi mes atyre fatlumëve që lodhjen e tyre e kanë kthyer në pumë. E dimë se çfarë do të thotë të shkruar këngë. E dimë se kur shkruhen këngë, kërkohet që të ruhet bukuria. Nuk keni para dy mashtrues”, tha Meta.
“Kjo çështje na ka penalizuar paksa në lidhje me Festivalin. Kur njerëzit dëgjojnë fjalën plagjiaturë ndalon, merr një distancë dhe nuk shkon të hulumtojë e për këtë arsye mbetet një njollë, është apo jo plagjiaturë”, shprehet Moro.
“Kemi qenë shumë keq. Unë mbrëmë nuk kam fjetur fare, vetëm nga përdorimi i fjalës plagjiaturë. Jemi dy autorë e nuk kemi nevojë për plagjiaturën e askujt”, ka shtuar ai.