Gjatë vitit 2020 pritet të thellohen edhe më tepër përplasjet politike. Teksa 2019-ta nisi me një përplasje Rama-Basha dhe u mbyll me një përplasje Meta-Rama, 2020-ta pritet të rikthejë përplasjet politike. Gazeta ka bërë një përmbledhje të çështjeve që pritet që të na shoqërojnë këtë vit, ku padyshim fokusin kryesor do ta marrë nisma e mazhorancës për izolimin e kreut të shtetit dhe nisma për të shkarkuar presidentin Ilir Meta nga detyra.
Më konkretisht shumica qeverisëse në 8 korrik të vitit që lamë pas ngriti një komision hetimor për të kontrolluar ligjshmërinë e veprimeve të kryera nga ana e presidentit Meta në kuadër të ushtrimit të kompetencave të tij lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve lokale, si dhe për të kontrolluar ligjshmërinë e veprimeve të ndjekura prej tij në kuadër të emërimit të gjyqtarëve kushtetues.
Komisioni hetimor për shkarkimin e Metës
Ky komision u ngrit nën një klimë të tensionuar politike, pasi gjatë kohës që ligjvënësit votonin në Parlament ngritjen e tij, opozita zhvillonte protestën e 10 kombëtare anti-qeveritare. Por pavarësisht se ky komision duhet të kishte përfunduar misionin e tij në datën 8 tetor, mazhoranca i shtyu me dy muaj afatet e tij, pasi ishte në pritje të opinionit të Komisionit të Venecias. Mirëpo edhe pse opinioni i Venecias erdhi, mazhoranca nuk ishte e bindur nëse duhet ta mbyllte raportin për shkarkimin e Metës dhe ta dërgonte në Kuvend. Për këtë arsye pak para se të përfundonte afati i komisionit në muajin dhjetor të vitit 2019, mazhoranca kërkoi sërish shtyrjen e afateve të komisionit, duke e çuar misionin e tij deri në 8 prill të këtij viti. Kështu që, këta muajt e parë të këtij viti pritet ta përplasin sërish mazhorancën me presidentin Meta. Madje, ka zëra se kjo përplasje do arrijë kullin gjatë kohës që Kuvendi do të votojë për shkarkimin ose jo të Metës nga detyra, pasi mësohet se ky i fundit në shenjë hakmarrje ndaj mazhorancës pritet të shpërndajë Parlamentin.
Izolimi i presidentit Meta
Por shkarkimi nga detyra nuk është e vetmja arsye që pritet të ndezë gjakrat mes kryeministrit Edi Rama dhe presidentit Ilir Meta. Një tjetër çështje që pritet t’i hedhë benzinë zjarrit gjatë 2020-ës është edhe nisma e mazhorancës për të izoluar kreun e shtetit. Mazhoranca ka vendosur që në shenjë hakmarrje ndaj qëndrimeve kryeneçe të Metës, sikundër ishte futja në kaos e Gjykatës Kushtetuese me dekretimin e Marsida Xhaferllarit si anëtare të saj jashtë afateve, të bëjë ndërhyrje në dy ligjet, sikundër janë ai “Për organizimin e Gjykatës Kushtetuese” dhe “Për statusin e gjyqtarëve e prokurorëve”.
Në draftin që disponon gazeta dhe pritet të diskutohet në komisionet parlamentare, gjyqtari i emëruar në Gjykatën Kushtetuese që nuk thirret për betim në Presidencë mund ta bëjë atë pranë institucionit ku është emëruar. Po ashtu, drafti i propozuar nga Partia Socialiste, synon të nxjerrë jashtë loje Metën, duke i hequr të drejtën e betimit për anëtarët e SPAK, gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese, pasi kjo kategori do betohet me shkrim. Pra, këto dy ndërhyrje të mazhorancës pritet ta thellojnë luftën mes Qeverisë dhe Presidencës.
Zgjedhjet e parakohshme
Por duket se gjatë 2020-tës mazhoranca pritet të përplaset edhe me opozitën, sikundër është lufta politike. Opozita prej gati një viti kërkon zgjedhje të parakohshme, ndërsa për të sfiduar mazhorancën ka bërë edhe protesta anti-qeveritare. Por kjo kërkesë e opozitës duket se ka rënë në vesh të shurdhët, pasi jovetëm që nuk është plotësuar, por kryeministri Rama ka sfiduar pakicën, ka shtyrë deri në fund të marsit gjendjen e jashtëzakonshme, e diktuar kjo sipas tij, për shkak të tërmetit të 26 nëntorit. Kjo do të thotë se gjatë kësaj kohe sipas ligjit nuk mund të zhvillohen protesta apo të mbahen zgjedhje, ç’ka e thellon edhe më shumë përplasjen mes shumicës dhe pakicës, pasi nëse do të mbahen zgjedhje, periudha më e mundshme do të jetë vjeshta e këtij viti. /Rigels Seliman