Që prej mesnatës, reshjet janë rikthyer vrullshëm thuajse në gjithë territorin e vendit, por situata më e rënduar nga përmbytjet mbetet ajo në zonën e Nën Shkodrës.
Një pjesë e banorëve në këtë zonë, edhe para se të rikthehej shiu ishin nën pushtetin e ujit si pasojë e shkarkimeve të hidrocentraleve të ngritura në Kaskadën e Drinit.
Reshjet kanë përkeqësuar ndjeshëm situatën në orët e pasdites së të dielës dhe zgjidhja për dhjetra familje është vetëm braktisja e shtëpive dhe pronave të tyre e zhvendosja në zonat e sigurta.
Ministria e Mbrojtjes njoftoi se Forcat e Armatosura janë angazhuar për t’u ardhur në ndihmë këtyre banorëve duke shpërndarë ndihma dhe çadra.
Në njësinë Obot janë përmbytur mbi 900 hektarë tokë dhe 920 të tjera në njësinë Bërdicë. Në Gur të Zi ka probleme me rrëshqitjet e tokës si pasojë e reshjeve. Dëmet e shkaktuara tek fermerët janë të mëdha.
Ndërkohë, vetëm në fshatrat fshatrat Shirq, Mushan dhe Darragjat raportohet për të paktën 36 familje totalisht të izoluara nga uji.
Është përmbytur gjithashtu edhe kampi i romëve pranë Prokurorisë së Shkodrës dhe raportohet se Bashkia ka ndërhyrë duke strehuar fëmijët në qendrën komunitare numër 4./Top Channel