“Romelën e ka dënuar Federata Botërore e Peshëngritjes. Unë e kam thënë edhe më parë, edhe për çështjen Godelli, sesi funksionon. Kjo që po ndodh në këtë institucion është absurde, korrupsioni sa vjen e shtohet. Federata Botërore është shndërruar në një mafie të dopingut”.
Është kjo fjala dhe bindja e Ilirjan Sulit. Ish-shtangisti, një ndër sportistët më të mirë ndër vite në Shqipëri, por fatkeqë- sisht edhe njëri prej atyre që u dënua për doping, ka reaguar eksluzivisht për “Panorama Sport”, në lidhje me akuzën e ngritur ndaj Romela Begajt, për pozitivitet në testet antidoping, pas Botërorit të dhjetorit 2017, ku shqiptarja fitoi medaljen e artë në shkëputje dhe të argjendën në shtytje.
Ai akuzon direkt Federatën Ndërkombëtare të Peshëngritjes, që sipas tij është e korruptuar dhe nuk ka ndërmend që të lejojë lehtësisht që vende të vogla si Shqipëria të fitojnë medalje.
Ilir, ku e bazoni bindjen se fajtore është Federata ndërkombëtare?
Llogarit, kur një president, i cili ka 40 vjet që nuk lëviz nga posti i këtij institucioni, është normale që edhe ai është i kapur. Të gjithë duan të flasin, edhe unë flas, por fakti është që çdo gazetë e botës i shkon atij dhe kjo e shtyn që ta godasë edhe më fort Shqipërinë. Kjo situatë po bëhet e tmerrshme.
Nëse duam që të vendosim pastërti, atëherë e vetmja zgjidhje është që pas çdo gare, në moment, çdo sportisti pjesëmarrës t’i merret qoftë edhe një fije floku, t’u bëhet testi i ADN-së dhe të shikojmë pastaj se peshëngritësit e cilit vend, janë më të pastrit. Do jeni të bindur që në fund do të jenë shqiptarët ata që nuk dopohen, sepse unë i njoh sakrificat që bëjnë Romela, Godelli, por edhe të tjerët për t’u stërvitur.
Je në dijeni të ndonjë rasti, që sportistët tanë dënohen me qëllim?
Po ti marr me radhë: Godelli, kur u paraqit, ishte vetë mjeku që e pyeti pse ke ardhur, pse je kapur, kur kërkoi të bëjë testin B. Çmenduri! Brikeni rezultoi pozitiv, në Lojërat e Mesdheut, ndonëse rezultatet e tij ishin të dobëta. Por akoma më shumë Erkandit… Vetë Federata Botërore i tha: mos pi ditën e garës, por pije në stërvitje. Një arsyetim të tillë i kishin dhënë dhe më pas e dënuan me vetëm 1 vit. Ndërsa për Kafaranin dhe të tjerët nuk di çfarë të them.
Si ka mundësi që Romela Begaj rezulton dy herë radhazi me Stonazolol?
Romela, për herë të dytë me Stonazolol? Është çmenduri! Kush është ai që e bën me dashje dy herë këtë? Mos ka dëshirë që të shkatërrojë jetën? Absolutisht jo…
Romela, me këtë akuzë të përsëritur rrezikon super dënim tani?
Kush po flet më për dënim?! Ajo nuk del më dot në rrugë tani, me këtë që po i ndodh. Unë i bëj apel që nëse ajo mendon se është e pastër, trupi i saj e di, të shesë shtëpi e katandi, ta dërgojë në gjykatat ndërkombëtare të botës dhe ta fitojë këtë kauzë, sepse është gjynah. Pse jo, për këtë i lutem edhe shtetit që ta përkrahë. Sepse qoftë kryeministri Rama, ashtu sikurse edhe presidenti Meta e duan sportin.
Peshëngritja ka sportistë, por edhe drejtues. Kush e mban përgjegjësinë për këtë?
Fajin e ka Federata Botërere e Peshëngritjes, por fajin më të madh e ka Elezi (Elez Gjoza, presidenti i federatës shqiptare), pasi është në dijeni të këtyre gjërave, por nuk i rregullon. Ndoshta duket normale, sepse nuk e ha dot peshkun e madh, prandaj voton për të. Por në të njëjtën kohë, shkon merr gara e aktivitete për të vjedhë parà.
Për këtë e lejon ai këtë. Një dhomë hoteli është 30 euro, ai (Elezi) e shet 500. T’i po flet për Europianin që do të organizohet këtë vit? Po u bë edhe Europiani në Durrës, për të rinj… Fundja le të fitojë, por të na mbrojë edhe ne. Nuk po them për veten, që e kam mbyllur tashmë, por këta kampionë që janë aktualisht.
Kaq në masë është futur dopingu në Shqipëri? Nuk e di… Shkon, merr tri vitamina E, e quajnë doping. Madje, do vijë koha do të thonë, mos pi birrë përpara gare, se është doping…
Si zgjidhet çështja e dopingut?
Sot duhet një mjek i mirë, një sekretar federate dhe nuk ka më arsye pse persona që dënohen nga 3 vite më pas, të dalin të ulërijnë pse nuk ka lekë shtanga. Përkundrazi, të paguajnë më shumë parà për sportistët dhe të ndiqen me kontrolle filtër. Më pas, kush kapet i dopuar, le ta dënojnë edhe me burg, ndonëse duket shumë e rëndë.
Këtë e sheh si faj të federatës?
Nuk po them faj i plotë, por ndoshta Elez Gjoza duhet ta rishikojë vendimin për të qenë në krye të federatës. Ka ardhur koha që në krye të vijë një person, që të investojë të paktën 100 mijë euro për shtangën.
Këto para duhen të mirëmenaxhohen dhe sportistët të kalojnë teste kontrolli të plota, për të shmangur më pas të tilla figura të shëmtuara. Nga e gjithë kjo situatë, shumë prej shtangistëve, përfshi edhe veten, kemi mbaruar edhe shkollën, por nuk po dalim dot në rrugë, nuk shkojmë të kërkojmë një vend pune, sepse na vjen turp.
Panoramasport: http://www.panorama.com.al/sport/shperthen-ilir-suli-romelen-po-e-denon-mafia-e-shtanges/