Juristi i OSHEE, Romeo Kara, ka paralajmëruar se shumë shpejt do të dalin fakte të reja për aferat që janë bërë me CEZ.
“Ju siguroj se thelbi i së vërtetës është zbardhur mjaftueshëm me aq sa unë kam investiguar, dhe do të jetë pothuajse e pamundur për cilindo që ta mbyllë përsëri këtë çështje. Shpresoj që një ditë prokuroria të fillojë të bëjë detyrën e saj, duke mos përfillur asnjë presion politik apo kriminal.
Theksoj se për një kohë disa mujore prokuroria pothuajse nuk bëri asgjë në lidhje me këtë çështje. Tashmë shihet një impuls i ri në punën e saj, por përsëri i pamjaftueshëm. Prokurorisë i duhet të investigojë një numër të madh dokumentesh, të shtrira në një periudhë disa-vjeçare, të cilat i përkasin disa institucioneve të ndryshme.
Të shumtë janë personat e përfshirë direkt në këtë aferë, por jo pak janë edhe ata që mund të kenë dijeni dhe mund të ndihmojnë në ecurinë e punës së prokurorisë. Pra, prokuroria ka shumë punë për të bërë”, thotë ai në një intervistë për gazetën “Sot”.
-A jeni thirrur ju në prokurori për këtë çështje për të dhënë sqarime, si një ndër paditësit?
Unë jam thirrur mbi 10 herë në prokurori përgjatë segmentit kohor maj-korrik 2017, por asnjëherë më pas. Kam bindjen që në procesverbalet e deklarimeve të bëra nga unë, prokuroria ka gjetur me hollësi çdo gjë që mund të ofrohej prej meje. Nuk mendoj se është lënë diçka pa cekur në deklarimet e mija. Takimet me prokuroren Anila Leka, kanë qenë tepër të gjata, deri në tetë orë në disa raste, duke analizuar pothuajse çdo detaj të kallëzimit tim. Sinqerisht i kërkoj të falur kësaj prokuroreje për lodhjen dhe stresin qe i kam shkaktuar, dhe shpreh vlerësimin tim për të.
-Prokuroria dhe Drejtoria e Pastrimit të Parave janë vënë në kërkim të rreth 7 milionë eurove, që janë transferuar në llogari të Nuel Kalajt nga çekët. Ju çfarë informacioni keni mbi këto para?
Fillimisht unë kam pasur informacion se në llogarinë e Nuel Kalajt kanë qenë 3.6 mln euro, dhe këtë ja deklarova komisionit hetimor “Balla” më 23 nëntor 2016. Nga investigimi që bëri komisioni “Balla”, doli që informacioni im ishte i saktë, por me një surprizë, që shuma ishte rreth 7 mln euro. Këto para janë depozituar nga CEZ-i në llogari të Kalajt pjesë-pjesë duke filluar nga janari 2008, pra vetëm pak muaj përpara fillimit të procesit të privatizimit në qershor 2008. E gjithë kjo shumë parash, ka hyrë dhe është tërhequr nga llogaria bankare e Kalajt nga janari 2008 deri në qershor 2009. Duhet theksuar se kontrata e privatizimit u miratua në Parlament pikërisht në qershor 2009. Kam bindjen se lëvrimi i këtyre parave që në janar 2008, tregon se paraprakisht pala çeke dhe shqiptare ishin marrë vesh me njëra-tjetrën dhe po konkretizonin bashkëpunimin e tyre. Me interes do të dija se ku përfunduan këto para, pasi u tërhoqën kesh, dhe në disa raste në kundërshtim me ligjin prej Nuel Kalajt. Lidhur me këtë pjesë mjaft interesante të procesit prokuroria duhet të bëjë investigime të hollësishme, pasi ato para do të na çojnë pajetër tek zullumqari kryesor.
-Një vit më parë u pushuan hetimet për çështjen CEZ, ku prokurorja e asaj kohe pretendonte se nuk kishte prova që të implikojnë të gjithë personat e kallëzuar. Mund të na thoni me detaje se çfarë provash keni dorëzuar ju në prokurori që tregojnë abuzimin?
Unë ju siguroj se prokurorja që ka bërë këtë deklarim, nuk e ka lexuar fare dosjen dhe ka zbatuar një urdhër të dalë nga vetë Berisha nëpërmjet Llallës. Unë kam ofruar mbi 50 prova dhe është jo me vend t’i rendis ato të tëra këtu, por ia vlen të theksohet se të gjitha shkeljet e konstatuara nga unë, lidhur me ketë aferë janë tepër të argumentuara dhe realisht të pakundërshtueshme. Deri më tani, personat e kallëzuar nga unë, lidhur me këtë aferë, kanë heshtur, kanë pasur luksin të mos i shqetësojë kush, por asnjë prej tyre nuk ka guxuar të hedhë poshtë asnjë prej akuzave të mija.
-A ka foto që tregojnë kontakte të Nuel Kalajt me zyrtarë të ish-qeverisë Berisha?
Po ka foto të Nuel Kalaj me Genc Rulin dhe të tjera figura të PD-së. Unë i kam ofruar si provë ato.
-Deri më sot janë thirrur në prokurori Shkëlzen Berisha dhe Genc Ruli. A duhet që prokuroria të kishte thirrur dhe persona të tjerë, mes të cilëve dhe Sali Berisha?
Po nuk u thirr kryedollibashi i kësaj afere, Sali Berisha, është e kotë që të flasim më për shtet e drejtësi. Nëse Zoti do të kishte dashur që të isha prokuror, do ta kisha dhënë më së miri shembullin se si duhet të funksionojë prokuroria përballë sfidave të tilla me korrupsionin e politikës së lartë. Prokuroria duhet të përballet sa më shpejt, me forcë dhe dinjitet, me këdo që i del përpara në punën e saj. Sali Berisha jo vetëm që duhej thirrur nga prokuroria, por ai duhej arrestuar nga prokuroria, i duheshin sekuestruar pronat dhe materialet që mund të ndihmonin në hetimin e çështjes. Të shpresojmë që kjo gjë do të ndodhë një ditë, përndryshe duhet t’i drejtohemi popullit. Nëse institucionet dështojnë, populli duhet ta dijë dhe të bëjë zgjedhjen e tij. Në fund të fundit, populli është i dëmtuari kryesor prej kësaj afere.