Autoriteti i Konkurrencës është vënë në lëvizje pas rritjes së çmimit të bukës në treg. Këtë javë, ashtu sikur ishte paralajmëruar, blerja e një buke kushton 10 lekë më shumë, ose është reduktuar sasia për ato lloje që nuk ka ndryshuar çmimi.
Duke qenë se ky produkt është kryesori dhe baza për tavolinat e shqiptarëve, reagimet për rritjen e çmimit kanë qenë të shumta, sidomos nga qytetarët. Ndërkohë, ditën e djeshme ka ardhur dhe reagimi zyrtar i Autoriteti të Konkurrencës për këtë çështje.
Përmes një njoftimi zyrtar ky institucion bëri të ditur se, do të dalë shpejt me një vendim nëse prodhuesit kryesorë të miellit në vend po vazhdojnë të ndjekin një marrëveshje të ndaluar, me qëllim përcaktimin e çmimeve të shitjes së bukës dhe a kanë ndikuar ata në këtë lëvizje të fundit.
Në këtë njoftim, Konkurrenca ka treguar se do të nisë një hetim më të thelluar në tregun e prodhimit të miellit pasi në vitin që shkoi përmes një vendimi kompanitë bashkëpunuan për të ndikuar qoftë edhe në mënyrë indirekte në përcaktimin e çmimit për shitjen e bukës tek qytetarët.
“Autoriteti i Konkurrencës do të shqyrtojë me kujdes të dhënat, për të parë ecurinë e tregut pasi me anë të vendimit nr. 700, datë 24.07.2020 ka konstatuar sjelljen e bashkërenduar midis ndërmarrjeve Agro Blend SHPK, Miell Tirana SHA, Bloja SHA, Atlas SHA dhe Atlas Mills SHPK, në tregun e importit të grurit, importit, prodhimit dhe tregtimit të miellit, pasi këto ndërmarrje kanë bashkërenduar sjelljen, duke caktuar çmimet e shitjes dhe duke kontrolluar prodhimin në tregun e miellit për shkak të integrimit vertikal. Sipas vendimit, kjo sjellje përbën shkelje të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës””, thuhet në njoftim.
Ja çfarë thonë prodhuesit
Ndërkohë nga ana e tyre kompanitë e prodhimit të miellit në vend kamë deklaruar se, shkaku kryesor i shtrenjtimit të këtij produkti është rritja e çmimit të grurit në tregjet ndërkombëtare, me rreth 65% në një vit. Gjatë një interviste televizive ata u shprehën se nuk do preferonin që të rritej në këtë fazë çmimi i shitjes së bukës, por gjithçka vjen sepse ka rënë prodhimi i miellit në shtetet më të mëdha prodhuese, çka ka sjellë rritje të çmimit të miellit dhe si rrjedhojë atë të bukës.
Sipas tyre, kjo rritje është reflektuar vetëm në masën 10-12% në çmimet e miellit, por nëse kjo tendencë vazhdon, shtrenjtimi i mëtejshëm i miellit do të jetë i pashmangshëm. Ndërkohë, kujtojmë se në vitin që lamë pas Autoriteti i Konkurrencës iu vendosi ndërmarrjeve të prodhimit të miellit detyrim që në asnjë mënyrë të mos përpiqen të caktojnë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi.
Gjithashtu, iu është kërkuar që të mos kufizojnë ose kontrollojnë prodhimin, tregjet, zhvillimin teknik ose investimet; të mos ndajnë tregjet ose burimet e furnizimit; të raportojnë çdo tre muaj pranë AK-së të dhëna mbi blerjet dhe shitjet në përmbushje të detyrimeve të dhëna sipas kësaj pike.