Kryeministri Edi Rama deklaroi se një nga objektivat kryesore të qeverisë pas zgjedhjeve është krijimi i një faktori të ri shtetëror në tregun e naftës, një forcë publike që do të lehtësojë barrën mbi qytetarët. Rama theksoi se siç ndodhi me konkurrencën në fluturimet ajrore, shteti synon të krijojë kapacitete që sjellin përfitime direkte për qytetarët.
“Unë jam shprehur që kur kemi bërë mbledhjen e parë të Asamblesë së shumicës qeverisëse të pas zgjedhjeve, se një nga objektivat tanë është krijimi i një faktori të ri në tregun e naftës, një faktori shtetëror, një force publike për të krijuar një kapacitet që të lehtësojë barrën mbi qytetarët, si kundër e lehtësoi konkurrenca që ne nxitëm duke ndryshuar komplet qasjen për fluturimet ajrore.
Shqipëria kishte aeroportin më të pak përdorur në Europë; sot ka aeroportin më të suksesshëm në Ballkan, me një diferencë mbresëlënëse. Kur ne ishim jashtë hartës fare, sot nuk është më Beogradi kryeqyteti i aviacionit, por është Tirana. Kjo është arritje e kësaj qeverie, me gjithë keqardhjen për ata që na duan të vdekur. Por sa më shumë të na duan të vdekur, aq më shumë ne gjallërohemi.
Ne do të fusim forcën e shtetit në tregun e naftës, dhe shumë shpejt do të japim shembull se si do të ndryshojnë gjërat në tregun e naftës. Duke vënë në dispozicion garancinë e shtetit, do të bëhet shumë më e lehtë për lojtarët që janë në treg për marrëveshje me kompanitë që shpërndajnë naftën. Sot kemi në proces ligjin e rezervave. Kur kam folur për rezervat e naftës, u hodhën shumë tenxhere përpjetë, por sot, në ligjin që është në konsultim publik, e kemi përcaktuar që rezerva do të shkojë në 3 muaj. Por kjo nuk mjafton më si masë sigurie, sepse mund të jetë një masë e mjaftueshme. Një treg nafte që do të jetë më i përballueshëm se tregu i sotëm”, tha kryeministri.



