Tension, dhunë dhe përleshje në dy protesta. Greqia është përfshirë pasditen e sotme nga demonstrata dhe përplasje të forta mes protestuesve dhe policisë. Të dyja protestat janë zhvilluar në Selanik. Protesta e parë mes policisë dhe protestuesve që degradoi në dhunë ndodhi në panairin e 83-të të Selanikut që po zhvillohet në Greqi. Sipas mediave gjithçka ka nisur rreth orës 19:00 me orën lokale greke, kur një grup prej 50 personash të maskuar sulmuan me molotov policinë.
Policia është përgjigjur menjëherë me gaz lotsjellës, por situata ka degraduar në dhunë, ndërsa është rrethuar zona ku është planifikuar që të mbahet konferenca me biznesmenë dhe zyrtarë të lartë nga SHBA dhe vende të tjera. Në aksion për të normalizuar situatën dhe në gatishmëri janë mbi 4 mijë forca policie.
Protesta para panairit është organizuar nga sindikatat dhe punonjësit kundër kryeministrit Tsipras, që është i pranishëm në edicionin e 83-të të panairit. Qytetarët protestojnë për masat shtrënguese të qeverisë për biznesin grek.
Ndërkohë që protesta e dytë organizohet kundër marrëveshjes me Maqedoninë për emrin e ri. Grekët prej disa javësh protestojnë kundër marrëveshjes me Maqedoninë, ndërsa Shkupi në datë 30 shtator do të organizojë referendumin.
Në një lidhje telefonike për Report Tv nga Greqia, Iris Hajdinaj, kryetare e shoqatës ‘Jeta’ në Selanik thotë se protestat janë të organizuara nga opozita. Ndërsa një tjetër emigrante shqiptare në Greqi, Ekloida Sulaj thotë se populli është i pakënaqur me politikat ekonomike të kryeministrit Tsipras. ‘Një nga arsyet kryesore për protestat është ardhja nga kryeministri Tsipras në panair, njerëzit janë të pakënaqur ndaj qeverisë së tij, kanë bllokuar rrugët’ tha ajo për Report Tv.