Projekt buxheti i vitit 2020 do te mbeshtese reformat e ndermarra nga qeveria qe promovojne rritjen ekonomike, punesim, permirsimin e cilesise se sherbimeve ndaj qytetarit dhe procesin e integrimit.
Ministrja e Financave dhe Ekonomise, Anila Denaj prezantoi te premten projektbuxhetin per vitin 2020 ne Konferencen e Kryetareve.
Rritja ekonomike e parashikuar 4,1% do të përkthehet në më shumë punësim, ku synohet krijimi i rreth 35 mijë vendeve të reja pune, si dhe një ulje e mëtejshme e shkallës së papunësisë poshtë nivelit 11%.
Investimet publike janë planifikuar në nivelin e 4,7% të Produktit të Brendshëm Bruto ose rreth 84 miliardë lekë, me një rritje prej rreth 4% kundrejt të pritshmit të këtij viti.
Të ardhurat totale për vitin 2020 parashikohen 502.6 miliardë lekë me një rritje prej 6,2% mbi të ardhurat e pritshme të vitit 2019 ose rreth 29.2 miliardë më shumë.
Shpenzimet buxhetore të programuara për vitin 2020 janë rreth 532 miliardë lekë ose rreth 29,7% e PBB-së. Ato rriten me rreth 5,1% krahasuar me të pritshmin e vitit 2019.
“Shpenzimet do të vijojnë të mbështesin sektorët prioritarë si arsimi, shëndetësia, bujqësia, infrastruktura, të cilat janë të rëndësishme për të stimuluar rritjen potenciale të ekonomisë”, deklaroi Denaj.
Ministrja tha se deficiti i këtij viti, apo huamarrja vjetore neto targetohet në vetëm 1,6% të PBB, balanca korente fiskale për këtë vit programohet gjithashtu ndër nivelet më të larta të dy dekadave të fundit prej +3,1% të PBB.
“E thënë ndryshe, në buxhetin e vitit 2020 për çdo 100 lekë të marra borxh programohen 286 lekë investime publike, raport i cili vijon të ketë një përmirësim të ndjeshëm krahasuar me mesataren e këtij treguesi për periudhën 2014-2019, ku për çdo 100 lekë të marra borxh janë shpenzuar për investime publike 193 lekë”, u shpreh ajo.
Për të pestin vit radhazi, u shpreh Denaj, balanca primare parashikohet të jetë pozitive në nivelin 0,7% duke synuar mbajtjen e borxhit në trajektoren rënëse. Në fund të vitit 2020 borxhi publik pritet të ulet në nivelin e 62,2% të PBB, për të zbritur poshtë 60% të PBB në 2021 dhe më tej në rreth 57% në vitin 2022.
Buxheti i pushtetit vendor për vitin 2020 është programuar në rreth 57 miliardë lekë, rreth 11,2% më i lartë se ai i 2019-ës, ose rreth 5.7 miliardë lekë më shumë fonde për shërbime dhe investime publike vendore. Në raport me PBB ky buxhet zë rreth 3,2%.
Rritja e burimeve të buxhetit vendor në vitin 2020, vuri në dukje Denaj, krijon më shumë hapësira për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për qytetarët dhe njëkohësisht për uljen e stokut të detyrimeve të prapambetura të trashëguara nga ndarja e vjetër administrativo territoriale