Një rrjet kompanish në dukje të pavarura nga njëra-tjetra tregojnë gjurmët e duarve të deputetes socialiste Elisa Spiropali në paratë dhe pronat publike. Përfitimet dhe lulëzimi i këtyre kompanive përkon me ngjitjen e zonjës Spiropali në shkallët e pushtetit të Partisë Socialiste, me mbështetjen e Edi Ramës, nga vitit 2013 kur e emëroi drejtoreshë të Doganave deri disa javë më parë kur e shkarkoi si ministre të Jashtme. Një prej këtyre linjave interesi kamuflohet me kompaninë Solomon Construction, themeluar nga vëllai i Spiropalit, Enkli Spiropali, sot në pronësi të kunatë së saj Blerina Totaj, duke përfituar qindra mijëra euro para publike dhe 19 hektarë tokë publike për 90 vjet.
Evidenca dhe lidhje
Në shtator të vitit 2022, bashkëshorti i Elisa Spiropalit, Salarjon Totaj, themelon kompaninë S T Consulting, ndryshuar emrin në SALT, me objekt shit-blerje pronash një fushë që në raportet e SPAK-ut konsiderohet si më kryesorja për pastrimin e parave. Krahas biznesit privat, Totaj rezulton njëkohësisjt edhe anëtar i Këshillit Drejtues të DPSHTRR me pagë rreth 9 mijë euro vit.
(Më herët, Totaj ka qenë drejtor i Ujësjellësit të Fierit, ku i ka dhënë tendera kunatit (vëllait të Spiropalit), por rezulton edhe anëtar i Këshillit Mbikqyrës të kompanisë shtetërore të gazit Albgaz si dhe drejtor i Shërbimeve Mbështetëse në Operatorin e Sistemit të Transmetimit OST). Ndërkaq, në vitin 2023, bashkëshorti i zonjës Spiropali deklaron rreth 40 mijë euro të ardhura nga aktiviteti i kompanisë SALT shpk.
Në gusht të vitit 2013, disa muaj pasi Partia Socialiste fitoi zgjedhjet parlamentare, vëllai i Elisa Spiropalit, Enkli Spiropali themeloi në Fier kompaninë Solomon Construction, me objekt import-eksport e tregtimin me shumicë e pakice të artikujve të ndryshem industriale. Në prill 2015, Enkli Spiropali ia shet kompaninë Marjus Memushajt, i cili është kushëriri i Salarjon Totajt.
Gjatë kohës kur kompania ishte në pronësi të vëllait të Spiropalit dhe pas kalimit formal në emrin e Marjus Memushajt, rezulton ka përfituar para publike nga Ujësjellësi i Fierit kur drejtohej nga Salarjon Totaj. Në 27 mars 2014, bashkëshorti në atë kohë jo zyrtar i Spiropalit Salarjon Totaj i jep një tender me vlerë 66 mijë euro vëllait të Spiropalit Enkli Spiropali.
Në një reagim në Facebook, në shkurt të vitit 2019, zonja Spiropali tha se vëllai i saj nuk kishte përfituar fonde publike, duke mohuar evidencat dhe faktet që tregonin përfitimin në konflikt interesi, madje në formë korruptive. Nga vitit 2014 deri në 2016, bashkëshorti i Spiropalit i ka dhënë 350 mijë euro tendera kompanisë së vëllait të Spiropalit.
Në maj të vitit 2024, vëllai i Spiropalit, Enkli Spiropali vendos t’i futet një tjetër biznese. Ai themelon kompaninë e taksive Blest Taxi bashkë me Klodjan Kalldani me kapital 100 mijë lekë. Administrator të kompanisë fillimisht caktojnë Besmir Metanin, i dyshuar si i përfshirë në biznesin kriminal të mashtrimit përmes call centrave. Spiropali dhe Kalldani e nisën biznesin me një flotë prej 5 taksish.
Ndërkaq, kompania Solomon Construction e themeluar nga vëllai i Spiropalit do të përfundonte në duart e kunatës së saj, Blerina Totaj. Në tetor 2021, Marjus Memushaj e shet kompaninë Solomon tek kompania Fortes Construction për 120 mijë euro. Duket si një shitje reale, por faktet tregojnë se bashkëshorti i Spiropalit po kalon kompaninë nga njëra dorë e besuar në tjetrën.
Kompania e projektimit dhe e ndërtimit Fortes Construction, e cila bleu kompaninë Solomon, është një tjetër linjë biznesi e bashkëshorit të Elisa Spiropalit, Salarjon Totaj. Kompania e themeluar në vitin 2015, me zyra te Shopping
Center në Tiranë, është në emrin e dy kunatave të Elisa Spiropalit, Blerina dhe Luranda Totaj.
Kompania, e cila operon më shumë si nënkontraktore e firmave që përfitojnë para dhe koncensione publike, qarkullon çdo vit qindra mijëra euro. Blerina Totaj rezulton nyja e interesave të kamufluara të çiftit Elisa Spiropali dhe Salarjon Totaj. Përmes saj, çifit kontrollon kompaninë e ndërtimit Fortes Construction si dhe kompaninë import-eksport të artikujve të ndryshem industriale Solomon Construction.
Përmes kompanisë “Solomon Construction”, Totajt kanë siguruar edhe një kontratë qiraje 90-vjeçare me Ministrinë e Bujqësisë për kultivim ullinjsh në sipërfaqe 19 hektarë në pronësi të shtetit në Patos. Dokumentat e Ministrisë së Bujqësisë thonë se “Solomon Construction” e ka marrë këtë sipërfaqe toke me qira për 90 vjet, me vlerë 465 mijë lekë të reja në vit ose rreth 40 mijë lekë të reja në muaj. Qëllimi i kontratës së qirasë është “kultivimi, prodhimi dhe tregtimi i ullirit për vaj dhe tavolinë”.
Krahas pronës publike, kompania Solomon Construction vijon të përfitojë edhe para publike, ndonëse në vlera modeste.
BIOFOOD’S është një tjetër kompani në pronësi të vjehrrit të Elisa Spiropalit, Luan Totaj. Kompania me objekt import eksport, tregtim me shumicë e pakicë brenda dhe jashtë vendit të fruta – perimeve, mallrave ushqimorë dhe idustrialë, ndodhet në Frakull e Madhe, Kilometri 2, Autostrada Levan – Tepelenë, një ambient që kushton dhjetëra mijëra euro.
Tre vjet pas themelimit, Luan Totaj ia ka shitur kompaninë shtetasit Beqir Ahmeti për 20 mijë euro. Interesat kryesore financiare të çiftit Totaj-Spiropali dyshohet se lidhen me studion e projektimit, supervizionit dhe kolaudimit ARKONSTUDIO. E themeluar vetëm një vit pas ardhjes së PS-së në pushtet, kompania ka përfituar dhjetëra milionë euro para publike, duke krijuar disa linja klintelizimit dhe me hije korrupsioni me institucione të pushtetit vendor dhe qendror.
Vetëm gjatë 5 viteve të fundit, kompania ARKONSTUDIO ka përfituar e vetme rreth 49 milionë euro para publike nga buxheti i shtetit. Po çfarë e lidh më konkretisht çiftin Spiropali-Totaj me kompaninë që po bën kërdinë prej 10 vitesh në buxhetin e shtetit? Vijon…



