Moti i keq ka përfshirë pjesën më të madhe të vendit duke shkaktuar përmbytje në disa segmente rrugore të vendit. Në Durrës rrugët pranë stadiumit të qytetit dhe te zona e ‘Vollgës’ janë nën ujë, duke shkaktuar vështirësi për qarkullimin e makinave dhe këmbësorëve.
Një familje nga zona e ish-Kënetës është evakuuar në Shtëpinë e Pushimit të Ministrisë së Brendshme në plazhin e Durrësit, pasi banesa e tyre është përmbytur.
Prefekti i qarkut Durrës, Emiljan Jani, thotë se dhe pse hidrovoret janë në funksion, situata vijon të mbëtet e rënduar në shumë zona të qytetit, ndërsa njofton që të shmangen lëvizjet deri në përmirësimin e situatës.
Prurjet e paparashikueshme nga lumenjtë anësorë dhe reshjat kanë rritur gjithashtu nivelin e ujit në hidrocentralet e kaskadës së Drinit. Ndërkohë, mësohet se, vijojnë shkarkimet e ujit nga hidrocentralet e Komanit dhe të Vaut të Dejës.
Sipas të dhënave nga Bashkia Shkodër dhe Shtabi i Emergjencave në Prefekturë, nuk ka rrezik për përmbytje. Hidrocentrali i Fierzës ndodhet aktualisht në kuotën 280 metra, nga 296 metra që është kapaciteti maksimal i lejuar, duke vijuar operimin në parametra konstant. Po kryhet monitorim periodik i niveleve të lumenjve Drin e Bunë, si edhe i Liqenit të Shkodrës dhe këto kuota të regjistruara deri në këto momente nuk paraqesin rrezik për përmbytje.
Reshjet e dendura të shiut gjatë natës kanë sjellë problematika në disa zona të qytetit të Lezhës. Në lagjen “Besëlidhja”, situata duket se është më e rënduar si edhe në disa hyrje shkollash, ku niveli i ujit ka arriturnë disa centimetra, duke vështirësuar qarkullimin e këmbësorëve dhe mjeteve. Situata në Qarkun Kukës pas reshjeve të shumta ka qenë problematik sidomos me bllokimin e rrugëve. Ka patur rënie të gurëve në rrugë në aksin Bajram Curri Valbonë, Sopot – Kam dhe në aksin Kukës – Shishtavec.






