Ndërtimi i veprave publike në Shqipëri është një histori e mbushur me tejkalime kostosh dhe fatura të fryra në kurriz të taksapaguesve.
Më konkretisht, autostrada Durrës-Kukës-Morinë, një segment 124.2 kilometër i gjatë, kishte si kosto fillestare në kontratë vlerën 819.7 milionë dollarë amerikanë. Por, fatura finale e rrugës rezultoi 66.3% më e lartë ose plot 1 miliardë e 363 milionë dollarë.
E njëjta gjë ka ndodhur edhe me rrugën Tiranë-Elbasan, veprën e dytë publike më të madhe në vend. Fillimisht, tenderi për këtë aks u fitua nga kompania greke “Aktor”, me një vlerë totale 312.5 milionë dollarë. Por, deri më tani, fatura e rrugës ka arritur në rreth 450 milionë dollarë, ose 44% më shumë nga vlera e tenderuar.
Pra, vetëm për dy rrugët më të mëdha të vendit, fatura që kanë paguar qytetarët është fryrë me 682 milionë dollarë mbi kostot e kontratave. Kjo shifër është gati sa buxheti që Shqipëria i jep sistemit shëndetësor, jo për një, por për dy vite bashkë.
Fryrja e kostove nuk është fenomen vetëm i projekteve të mëdha. Në Shqipëri ajo ndodh rëndom edhe në kontratat më të vogla, ku qytetarët shqiptarë paguajnë qindra milionë dollarë shtesë për projektet dhe kontratat e hartuara keq, mungesën e mbikqyrjes si dhe korrupsionin e zyrtarëve.