PD as në pushtet dhe as në opozitë përtej ndonjë ngjarjeje të ditës me konsum politik me tone të forta folklorike nuk ka bërë akte me peshë për të kujtuar e promovuar imazhin e personaliteteve të rezistencës, të ideologëve të lirisë kundër tiranisë si, At Zef Pllumi, Arshi Pipa, Sami Repishti dhe së fundmi Pjetër Arbnori. Nuk do habitem nëse këtë e bën Erion Veliaj, për nevojë a bindje s’ka rëndësi… Mund ta bëjë edhe për të poshtëruar kundërshtarët siç ndodhi dje.
Agron Gjekmarkaj
Dje në lulishten pranë sallës plenare të Kuvendit u zbulua busti i Pjetër Arbnorit! Gjithë sa ka ndodhur, prej vullnetit të Gramoz Ruçit, kryetarit aktual të Parlamentit!
Zotnia në fjalë meriton një përgëzim të madh për gjestin njerëzor e politik. Mos të harrojmë se Gramoz Ruci ishte ministri i fundit i Brendshëm i diktaturës dhe Sigurimit të Shtetit, edhe ditën e 2 prillit kur në qytetin e Shkodrës u krye një masakër kundër protestuesve antikomunistë me urdhër qeveritar.
Për këtë arsye e për të tjera valenca ideologjike, që lidhet me funksionet e tij gjatë regjimit diktatorial, është konsideruar simbol provokues i kësaj të kaluare në politikën e tranzicionit.
I urryer nga të persekutuarit e ata që e thërrasin veten të djathtë e po kaq i adhuruar nga baza integraliste e Partisë Socialiste, pikërisht për bezdinë që u shkakton të parëve, ai dje tejkaloi historinë e vet dhe bëri një akt dinjitoz ndaj një personaliteti kaq të munguar si Pjetër Arbnori.
Një fjalim të arsyeshëm mbajti ai e po kaq i tillë u tregua që aktin e përurimit ia la zonjës Arbnori dhe Sali Berishës!
Përtej buzëqeshjeve, ky moment duhet të ketë qenë provokues dhe i trishtë, mbi të gjithë për Sali Berishën, Jozefina Topallin e Lulzim Bashën. Jo për faktin që Pjetër Arbnorin pothuaj e zbuan nga PD dhe nuk i plotësuan as më modesten e kërkesave për ta çuar ambasador në Vatikan pas fitores së vitit 2005, por mbi të gjitha për leksionin që u dha Gramoz Ruçi.
Pjetër Arbnori e ka merituar respektin prej jetës dhe veprës së tij si martir, si intelektual e si politikan. Mishela që del nga përzierja e jakobinizmit me injorancën është një gjë e vrazhdë, është njeriu i ri shqiptar, i cili ka udhëtuar shpesh deri në kufijtë e shtazërisë, por që para Pjetër Arbnorit bëhet meditativ, i përunjur gati. Kjo përkufizohet thjesht si epërsia e së mirës ndaj së keqes. Një fytyrë paqësore e kristiane deri në pejza, e pamerituar për të gjithë ne që ramë pre e veseve të kësaj epoke, ishte Arbnori.
Dje, Pjetri dukej i gjallë e shumë prej festuesve aty dukeshin të mundur prej tij në çdo gjë, sidomos në raport me humanizmin dhe karakteristikat ë tij. Në dy sisteme, ai ishte model. Qëndroi 29 vite në burgun e tmerrshëm të Burrelit dhe për shumë të tjera në liri i qëndroi tentacionit për t’u shndërruar në mujshar, në dhunues, në batakçi dhe hajdut!
Shumë prej atyre që dje u dukën te busti i tij për një foto, ato sinore i kanë kaluar me gëzim! Me gjasë, nuk u la pasuri fëmijëve të tij, por u la emrin e mirë. Natyrisht në Shqipërinë tonë të sotme ai s’ka shumë vlerë. Vlerë ka të jesh fëmija i dikujt që emëron, punëson, jep tendera dhe shkakton frikë. Ligjin e bën i forti dhe hajduti që pasurohen nga dhuntia që kanë.
Druaj se Arbnori nuk është model për shumëkënd. Në një shoqëri që sot e urren rezistencën, e cila harron të kaluarën që me gjuhën e tharë nga rendja turret të gjejë mundësinë për t’u servilosur e tjetërsuar pas çdokujt me pushtet, Arbnori është një pengesë e madhe etike. Por një gjë duket e sigurt! Politikanët e Shqipërisë s’kanë asnjë kokëçarje të tillë! Shumë tanimë s’i dinë emrin se paditurinë e kanë cilësi, për të cilën janë zgjedhur dhe do ta ngatërrojnë me ndonjë bahçevan të kohës së Zogut që kishte shtëpinë atypari.
Sali Berisha e ka pasur bashkëpunëtor të afërt dhe padyshim personazhin më të dashur e domethënës, që i dha kuptim PD-së si parti e djathtë. Arbnori ishte patenta ndërkombëtare e zhvillimeve demokratike. Një patentë shpesh e pamerituar dhe e keqpërdorur. Sali Berisha kishte detyrimin të kujtohej i pari për ta nderuar Pjetër Arbnorin siç duhej, pa harrur që t’ia njohim për të mirë faktin që piramidës hoxhiste i vuri emrin e tij. Por godina mbeti dhe është ende fantazmë e pa rol prej dekadash. Dje, Berisha duhet të jetë ndier keq. E ka merituar leksionin e Ruçit!
Jozefina Topalli, e cila zuri vendin e tij si kryetare Parlamenti dhe përfaqësuese e të persekutuarve politikë, gjithashtu nuk mund të mjaftohej veç me vendosjen e një pllake me emrin e tij kushtuar një salle. Më tepër pritej prej saj. Po ashtu leksioni i Ruçit ishte tejet i merituar. Zonja Topalli duhet ta ketë pasur më të madhe dramën teksa ka kujtuar Pjetrin e vitit 2005, që endej i pakonsideruar nga partia e tij si ajo sot.
Lulzim Basha ka qenë për katër vjet kryetar i bashkisë më të madhe, e ka pasur mundësinë për të bërë një akt. Duhej ta bënte Gramoz Ruçi që ai të kuptonte sa në pozitë të vështirë ishte dje dhe sa në krizë identiteti është partia që ai drejton sot! Ta ketë kuptuar këtë vallë?
PD as në pushtet dhe as në opozitë përtej ndonjë ngjarjeje të ditës me konsum politik me tone të forta folklorike nuk ka bërë akte me peshë për të kujtuar e promovuar imazhin e personaliteteve të rezistencës, të ideologëve të lirisë kundër tiranisë si, At Zef Pllumi, Arshi Pipa, Sami Repishti dhe së fundmi Pjetër Arbnori. Nuk do habitem nëse këtë e bën Erion Veliaj, për nevojë a bindje s’ka rëndësi… Mund ta bëjë edhe për të poshtëruar kundërshtarët siç ndodhi dje.
Një tjetër fakt binte në sy në fotot e atij përurimi. PD me personazhet e saj… sado të konsumuar, të gjithë bashkë dukej më normale e serioze… dhe sapo fotoja rraset në sirtar, kriza përshfaqet herë me tone trishtimi, herë me doza banaliteti. Basha duhet të lexojë ndonjë libër të Pjetrit dhe të pyesë veten kur fton socialistët e ndershëm t’i bashkohen PD-së, se çfarë vlerash, identiteti dhe ideologjie apo njerëzish ka PD aktuale. Po s’e bëri këtë pyetje, do vërtitet i veshur mirë me kostum e kollare rrugëve të Tiranës, duke marrë pjesë në festa ku pushteti nderon të djathtët e vdekur.