Deputetët e Partisë Demokratike kanë ngritur dyshime se pas protestës së dhunshme të 8 janarit ku ish-kryeministri Sali Berisha dhe mbështetës të tij sulmuan selinë e PD, fshihen palë të treta. Uashingtoni dhe Brukseli kanë ngritur shpesh alarimin se Moska po tenton të shtrijë tentakulat e saj në Ballkan, me qëllim destabilizimin e rajonit.
Por dyshime të kësaj natyre janë ngritur edhe gjatë mbledhjes së Kryesisë së Partisë Demorkatike, teksa deputeti i PD, Kreshnik Çollaku, ka bërë një deklaratë të fortë. Ky i fundit u shpreh se në protestën e 8 janarit kishte listë me 4 deputetë që do të eliminoheshin fizikisht pas futjes në godinë të grupit të dhunuesve, ndërsa shkroi më tej kur theksoi se ashtu sikurse ka ndodhur në Mal të Zi ku Rusia krijon destabilitet, po ndodh edhe në Shqipëri.
“Ajo që ndodhi në 8 janar ishte kalimi i kësaj vije të kuqe. Në 8 janar më vjen trup ta them dhe është mjerim se ish-miq e bashkëpunëtorë tanë drejtuan një sulm fizik kundra nesh. A e dini se brenda turmës në vijën e parë të mercenarëve të paguar që shqyenin dyert kanë qarkulluar lista me emra të veçantë deputetësh që duhet të linçoheshin fizikisht brenda godinës?
Pra rrezik ka qenë jo vetëm godina por dhe jeta e disave këtu brenda. Ndaj unë mendoj me këdo që nxiti apo përdori dhunë ndaj nesh kolegëve e ish-miqve të tyre nuk ka çfarë na mban më bashkë. Në këtë parti dhunuesit dhe të dhunuarit nuk mund të rrinë më bashkë. Unë situatën nuk e shoh sporadike madje e shoh pjesë të një situate ballkanike.
Antiamerikanizmi që po strukturohet në krejt Ballkanin duke shfrytëzuar konflikte të brendshme e situata të ngjashme ka një inteligjencë nga mbrapa, një inteligjencë anti-NATO, anti-SHBA, anti-BE. Ndaj mos prisni se ujërat do të qetësohen”, deklaroi ai. Pra, kjo deklaratë e bërë nga Çollaku në mbledhjen e Kryesisë së PD, ngre dyshime se rusët mbështesin skenarët e Berishës për të çuar vendin drejt destabilizimit.
Në 8 janar synohej të kishte vrasje
Por përveç zotit Çollaku, edhe Endi Hasa, anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratik ka folur për vrasje në protestën e 8 janarit. Duke folur në mbledhjen e Kryesisë që përfundoi dje rreth orës 3 të mëngjesit dhe që është bërë publike nga vetë ai, zoti Hasa akuzoi ish-kryeministrin Sali Berisha dhe mbështetësit e tij se më 8 janar nuk shkuan për të protestuar tek selia blu, por sipas tij, shkuan për gjak dhe për të vrarë.
Madje sipas asaj që shkruan Hasa dhe që e ka bërë të ditur edhe në mbledhjen e djeshme të Kryesisë së PD, Berisha dhe mbështetësit e tij nuk kanë vend në Partinë Demokratike, pasi sipas tij, ata nuk mund të ulen në një tryezë me dhunues. “Më 8 Janar ata erdhën për të na vrarë dhe ne vazhdojmë të diskutojmë për t’u ulur në të njëjtën tryeze dhe për të ndarë vendimmarrje të përbashkët? Ata nuk mund dhe nuk duhet të jenë këtu.
Ata erdhën të organizuar për të dhunuar dhe për të vrarë, ne të mendohemi? Nuk bëhet politikë me dhunën, më 8 janar mjetet politike mbaruan! Në 8 janar ishte vetëm një turmë banditësh që erdhi për të dhunuar. Vendimet sot duhet të jenë shumë të forta. As Edi Rama s’ka arritur të shkojë deri këtu. Kush erdhi për gjak, nuk mund të këtë vend në PD, sot dhe kurrë”, deklaroi Hasa.
Zbardhen diskutimet në Kryesisë e PD
Më tej gazeta ka zbardhur edhe diskutime nga mbledhje e Kryesisë së PD, ku anëtarët në mënyrë unanime kanë hedhur akuza të forta në adresë të ish-kryeministrit Sali Berisha sa i takon protestës së 8 janarit. Sipas anëtarit të Kryesisë së Partisë Demokratike, Xhemal Gjunkshi, Berisha dhe mbështetësit e tij nuk kanë vend në PD pasi më 8 janar shkuan në selinë blu për të vrarë demokratë dhe jo për të protestuar.
“Sytë tanë nuk do ta harrojnë kurrë urrejtjen dhe barbarizmin e datës 8 janar, ku një grup njerëzish ofendonin, qëllonin e bërtisnin. Ai ishte një revolucion i dhunshëm, me skenarë të planifikuar dhe të organizuar mirë dhe me synim të qartë, ku me siguri do të kishte edhe të vrarë. Nuk mundet të ketë bashkëjetesë me individët që në datën 8 janar erdhën të na vrisnin. Stop dhunës! Stop çdo mendimi dhe akti provokator dhe skenari të dhunshëm, që kërkon të destabilizojë dhe shkatërrojë jo vetëm PD por edhe Shqipërinë dhe Rajonin”, deklaroi Gjunkshi./Sot