Nga Ylli Pata
Një fjalim pasionant i Ditmir Bushatit, në seancën e së enjtes në Kuvend, që pati edhe replikën e ashpër të shefit të grupit të tij parlamentar, Taulant Balla, u komentua në mënyrë sipërfaqësore në emisionet e darkës, ku në njërin nga ta, ishte edhe vetë replikuesi i ish-ministrit të jashtëm.
“Shpërthimi” i Bushatit ndaj të pasurve që marrin kontrata publike, bëri natyrisht lajm, pasi sa herë një politikan i lartë i mazhorancës do të flasë siҫ foli ai publikisht, krijon një perceptim të mirë në opinionin publik, pasi ushqen një debat të hapur, mendime e ide që nuk janë thjesht sqaruese apo mbrojtëse, siҫ ndodh kur flasin përfaqësuesit e mazhorancës, ku përveҫ Edi Ramës ata numërohen me gishta e janë: Erion Veliaj, Taulant Balla, Elisa Spiropali e disa herë edhe Erion Braҫe.
Lajm, ka bërë edhe më shumë kur Ben Blushi, i cili për rreth 4 vjet ishte zëri i vetëm oponent ndaj Edi Ramës brenda së majtës, madje fjalimet e Blushit nga aspekti i oratorisë ishin edhe më cilësorë.
Si Blushi atëherë, ashtu edhe Bushati, sot kanë një të përbashkët; ata nuk janë pjesë e qeverisjes apo strukturave vendimarrëse të PS-së, madje janë të tërhequr apo edhe oponentë të polititikave të lidershipit.
E që realisht është një zhvillim normal politik, por duke qenë se në Shqipëri debati apo mendimi ndryshe ose frenohet ose polarizohet, qasja e tij drejt një procesi dialektik ka dështuar.
Megjithatë, si qasja e Ben Blushit në mandatin e parë të PS-së, ashtu edhe ajo e Ditmir Bushatit sot, ka një rezonante; synon të kapë majtas si diskurs politik dhe të sulmojë lidershipin e PS-së se ka rrëshqitur djathtas.
Diskursin e tij, Ditmir Bushati nuk e ka kanalizuar apo institucionalizuar në një qëndrim apo synim politik se ku do të shkojë politikisht, por e ka kryesisht sporadik me fjalime të enjtesh në seancat plenare, apo me intervistat e rralla, ku tenton të flasë me gjuhë të drunjtë dhe jo drejtpërsëdrejtë.
Një qasje në fakt që duket natyrale për një politikan si Bushati, i cili edhe kur ka qenë deputet i opozitës, ashtu edhe ministër në qeverinë e Edi Ramës për rreth 6 vjet, në ligjërimin e tij politik nuk se ka qenë i drejtpërsëdrejtë në diskurs, por ka preferuar të folurën lakonike.
Megjithatë, duke ndjekur diapazonin politik të Ditmir Bushatit, i cili duket qartë se rreh majtas si koncept dhe tenton të prekë “tela” të elektoratit të majtë që mund të ndjehet i frustruar nga qeverisja e Edi Ramës, ja vlen të debatohet kjo logjikë e diskutimit politik.
A përfaqëson ai, një politikan koherent dhe zhvillues i ideve apo koncepte të majta në politikën shqiptare?
A është ai, një elaborues, luftëtar e nismëtar për të promovuar ligje, akte, apo zhvillime politike që i përkasin së majtës politike në vend?
Ditmir Bushati, hyri në PS pas një përvoje akademike dhe shoqërinë civile si ekspert i ҫështjeve të integrimit europian. Pati një eksperiencë 8 vjeҫare si deputet i qarkut Tiranë, pa pasur një rol të spikatur në PS-në e kryeqytetit dhe aktualisht, nga viti 2017 është deputet i Shkodrës, ku për dy vjet ka qenë shefi politik i socialistëve në qark.
Në fazën e 4 vjetëve të opozitës ashtu edhe katër vitet e para të qeverisjes së PS-së, Bushati, ra në sy kryesisht si ekspert i ҫështjeve të marrëdhënieve me jashtë, ku si shef i diplomacisë shqiptare, ku qëndroi për 6 vite, mund të thuhet fare lehtë se e kreu duke mos bërë gabime, duke mos pasur skandale, madje duke qenë protagonist në disa procese të rëndësishme diplomatike si negociatat me Greqinë, por edhe zhvillime të tjera.
Me marrjen e drejtimit të qarkut Shkodër, Ditmir Bushati, nga një “teknokrat –politik” u kthye në një politikan terreni, madje në një zonë mjaft të vështirë e të rëndësishme politikisht, zonë që nxjerr 11 deputetë dhe katër kryetarë bashkish.
Shkodra është një terren tradicionalisht i djathtë që voton në shumicë për Partinë Demokratike që prej vitit 1992. Por gjithsesi, Shkodra nuk është as Vlora, e as Berati, që janë qarqe të majta e ku PD-ja e ka pasur vështirë të dalë nga kuota minimale e përfaqësimit.
Kjo pasi në Shkodër eksiston një elektorat i majtë koherent, i cili ka nxjerrë përfaqësues të PS-së edhe në ditët më të zeza të saj, përkatësisht në vitin 1992 apo edhe gjatë qeverisjes së parë të PD-së.
Në përvojën e tij 2 vjeҫare si drejtues politik i Shkodrës, Ditmir Bushati, kishte mundësinë të lëvronte idetë e konceptet e tij të majta, duke promovuar, elaboruar apo vendosur njerëz dhe folozofi që i përkasin diskursit të sotëm politik.
Ndoshta mund ta ketë bërë, por publikisht kjo nuk është vënë re, pasi ka munguar ky diskurs, nga ana tjetër kanë munguar edhe aktet e promovimit të një klase politike që i përket së majtës në Shkodër, gjatë drejtimit të tij politik.
Për analogji, një paraardhëse e zotit Bushati, Keti Bazhdari, e cila ishte kandidate e PS-së për bashkinë Shkodër në 2015-ën, e cila nuk e kishte asnjë ditë plotfuqinë politike të ish-ministrit të Jashtëm, edhe pse në një kohë më të shkurtër, ajo e bëri të njohur afilimin e saj të qartë politik të së majtës.
Në fjalime e intervista në media, zonja Bazhdari, e theksoi qënien e saj pro ideve dhe instrumenteve të majta në qeverisje dhe kohezionin social, edhe pse ishte një sipërmarrëse, pra një e pasur, jo nga politika por nga puna e saj si biznesvvomen.
Bazhdari, edhe pse vinte nga një familje e persekutuar politikisht nga regjimi komunist, insistonte në diskursin e saj për idetë e majta në politikë. Dhe ky profil i saj ngjiti fort, edhe pse ajo u largua shpejt nga politika aktive dhe nuk u kandidua prej Edi Ramës si deputete në Shkodër.
Bazhdari ngriti e mbështeti një klasë politike në qytetin e Shkodrës me profesionistë e intelektualë të së majtës që rriti entuziazmin për një rilindje reale të kësaj “shtrese politike” në terrenin ku e majta është frustruar me vite. Dhe rezultatet ishin të qarta edhe pse në një kohë të shkurtër; mori vota më shumë se asnjë kandidate e së majtës në Shkodër.
Sot zonja Bazhdari është larg politikës, e qartësisht nuk se i ka punët mirë me Edi Ramën, por nuk është aktivizuar si oponente ndaj lidershipit të partisë së saj apo të lanҫojë një diskurs të majtë për t’ju kundërvënë atij zyrtar.
E majta politike në Europë prej kohësh është në krizë pas mbylljes së epokës së Rrugës së Tretë të përfaqësuar nga Bill Clinton në SHBA, Tony Blair në Britani, Gerhard Schroder në Gjermani, apo eksperiencës së qendrës së majtë të përfaqësuar nga Romano Prodi në Itali, Papandreu i vjetër në Greqi etj.
Tentativat për të zhvendosur qendrën e së majtës politike më majtas, siҫ ndodhi me Jeremy Corbyn në Britaninë e Madhe dështuan keqas, siҫ edhe në Francë ku qendrën politike të Partisë Socialiste Franceze që thuajse është zhdukur, e ka gëlltitur En Marche-ja e presidentit Emanuel Macron.
Edhe Tsipras që hyri si radikal, u zhvendos fort në qeverisjen e tij drejt qendrës me objektivin për të kapur kontigjentin electoral që dikur e zotëronte PASOK i Adreas Papandreu.
Kjo krizë e së majtës ka hapur prej kohësh një debat të gjatë e polemika mbi “Gauche Caviar” apo “Radical Chic”, që flasin mbi elitat e së majtës, të cilat përfaqësojnë politikanë që jetojnë në luks e pasuri, duke llomotitur papushim diskurse në mbrojtje të shtresave të pambrojtura e margjinale të shoqërisë.
Megjithatë, në logjikën politike, qënia i pasur apo i varfër nuk se në fund është thelbësore në konsistencën politike, pasi rëndësi ka sesi i mbron ato ide kur ke mundësinë e instrumentet për ta bërë.
Carlo De Benedetti, është një miliarder, por ai është një nga personat e rëndësishëm në vendin e tij që njihet si një mbrojtës e mbështetës i së majtës politike në Itali.
De Bennedetti është botues i gazetës prestigjoze La Repubblica dhe revistës L’Espresso, që përfaqësojnë dy nga institucionet e mendimit të së majtës në Itali.
Shembuj të tillë ka plot; Bernie Sanders, një politikan tipik i së majtës në SHBA, që karierën e tij e ka spikatur që në rini kur mbronte të drejtat civile duke u rrahur dhe burgosur në kohën e përplasjeve raciale në jug të Amerikës, nuk është një person i varfër, përkundrazi është një milioner.
Por stili i jetesës dhe lufta e gjatë dhe e pandryshuar që ai ka bërë për idetë e tij bëri që miliona njerëz, shumica të rinj, të bëheshin me devocion pjesë e betejës së tij politike në dy fushata elektorale, edhe pse në fund Sanders hapi krahun kandidatëve të tjerë, Hillary Clinton në 2016-n dhe Joe Biden sot.
Beteja politike përҫohet nga mënyra se si luftohet për të mbrojtur idetë që përfaqëson, edhe pse ata normalisht mund të ndryshojnë dhe reformohen rrugës siҫ ka bërë shoqëria njerëzore në shekuj.
Por për të fituar titullin si përfaqësues duhet të tregosh kur ke në dorë instrumentet që të jep politika, se zbaton të paktën një pjesë të ideve të tua ose të paktën tenton t’i zbatosh ; natyrisht jo në mënyrë sporadike ….
TemA