Sali Berisha është zotuar se do të bëjë gjithçka për të rrëzuar kryeministrin Edi Rama nga pushteti. Duke folur gjatë kësaj fundjave në një takim me qytetarët dhe demokratët e Ersekës Berisha u shpreh se fenomeni i patronazhistëve do marrë fund.
Ai si shembull solli rastin e dy motrave që i kishin thënë deputetit të PD-së se nuk të votojmë dot se na kanë kërcënuar. “Rama mori mbështetje nga universitetet private, e provuan dhe me mua por morën si përgjigje një karton të kuq. Ju garantoj se do të ketë një rritje të madhe rrogash dhe sistemi i patronazhistëve nuk do të jetë më në shkolla. Ne e kemi qëllim madhor rritjen e rrogave dhe i qëndrojmë kësaj.
Duhet të bien dakord me fjalën tuaj që duhet të veprojmë, koha është veprim dhe vetëm veprim. PD do të bëjë gjithçka të ja shkurtojë ditët kësaj qeveria dhe ta rrëzojë. Ky i ka vjedhur votën, ka ndërtuar sistemin e patronazhistëve. I shkuan motrat deputetit të PD e i thanë, nuk të votojmë dot se na kanë kërcënuar.
Ai që ishte në krye të PD kishte shumë defekte por sidomos që me datë 25 prill nuk nxori shqiptarët në rrugë kundër vjedhjes së votës. Ne do të vijmë në pushtet vetëm me votën e lirë. Të vish në pushtet duke përdorur bandat, këta s’ta falim”, deklaroi ai. Ndërkohë, Berisha akuzoi kryeministrin Rama se po vjedh shqiptarët, duke firmosur kontrata korruptive që pasurojnë vetëm atë.
“Në 8 vite rrogat e shqiptarëve janë rritur më pak se sa është rritur inflacioni. Shqipëria po bëhet një vend ku nuk jetohet. Përveç grabitjes që u bëhet pasurive kombëtare nga klientela e qeveria së bashku vidhen e shpërdorohen në mënyrë të tmerrshme fondet publike. 1 km rrugë me 22 milionë euro në fushë, një shkollë ndërtohet me 4 milionë euro. Ata që janë inxhinierë e dinë, në botë ka manuale ndërtimi, kanë kostot për të gjitha, për çdo vepër publike. Vetëm Shqipëria ka manualin e korrupsionit dhe hajnisë”, nënvizoi Berisha.