Analisti Frrok Çupi ka analizuar situatën në Partinë Demokratike në prag të zgjedhjeve për kryetar, ku tha se në këtë parti nuk ka garë që prej vitit 1991.
Frrok Çupi/ PD-në E MERR ME VETE BERISHA; PD NUK KA AS ZGJEDHJE, AS DEMOKRACI
Pjesë nga intervista
Në 13 qershor do të mbahen zgjedhjet për kryetar të Partisë Demokratike. Janë zyrtarizuar 4 kandidatura ku njeri prej tyre është edhe kreu aktual Lulzim Basha, i cili nuk e ka paraqitur dorëheqjen e postit që mban. A mund të konsiderohet garë e barabartë?
Në Partinë Demokratike nuk ka garë, aq më hiç garë ‘të barabartë’, siç thuhet. Në PD nuk është bërë kurrë garë për zgjedhjen e kryetarit të partisë. I vetmi votim i drejtë ka qenë votimi i vitit 1991, fillim- shkurti. Deri atëherë, PD e krijuar në 12 dhjetor 1990, drejtohej nga një institucion i ‘zgjedhur’ me ‘agreement and gentleman’ dhe që quhej Komisioni Nismëtar i PD, kryesuar nga Azem Hajdari.
Diku nga fundi i Janarit ’91, nëpër korridore u vendos që të zëvendësohej ky organizëm dhe të zgjidhej kryetari. Të 13 anëtarët e Komisionit Nismëtar, natën vonë, kanë votuar për 3 kandidatura: Meksi, Pashko dhe Berisha. Votimi ishte i fshehtë. Në numërimin e 13 votave, doli ky rezultat: Berisha- 2 vota, Pashko- 2 vota, ndërsa Meksi fitoi 9 vota dhe u shpall kryetar i PD.
Kjo ishte zgjedhja e parë, që mbeti edhe e vetmja zgjedhje. Berisha, sapo mori vesh rezultatin, ‘luajti menç’ dhe ulërinte sa kishte në kokë, përplasi gjithçka në zyrë dhe tha se ‘do të prishte partinë’ nëse nuk zgjidhej kryetar. U ngrit edhe Azem Hajdari që tha se ‘e lë partinë vetëm për një tropojan, jo për një gjinokastrali’, dhe iku. E ndoqi pas edhe Arben Imami. Partia iku për kot.
Ishte natë, pas mesnate…. Të nesërmen u gjet një zgjidhje, zgjidhje i thënçin: ‘Ta zgjerojmë këshillin e partisë, të bëjmë një mbledhje tjetër dhe të porosisim secilin që të votojë për Sali Berishën’. Ky është thelbi dhe mjerimi: ‘Të porosisim secilin që të votojë për Berishën’… Kështu ndodhi në 14 shkurt, ditën e San Valentinit, në Pallatin e Kulturës. E më nuk ka pasur zgjedhje në PD.
Si mund të ketë zgjedhje sot? Sot, me shpalljen e Berishës ‘minues i demokracisë’ dhe ‘familje kriminale’, ‘i përshirë në korrupsion të madh’, PD-së i kanë dalë brinjët. Luli as do të japë dorëheqje, as do të zgjidhet. Luli do të emërohet kryetar i PD, sa të jetë Berisha këndej pari. PD-në e merr me vete Berisha në rrugën për ku është nisur pas krimeve 30 vjeçare.