Njëmbëdhjetë vite pas 21 janarit 2011, ish-kryeministri Sali Berisha shpjegon arsyen pse qëlloi mbi protestuesit. Sipas tij, shkelja e gardhit ishte pika e kthesës.
Sali Berisha: Të nderuar zotërinj, e ndjej të nevojshme të sqaroj ngjarjet e 21 janarit edhe për faktin se do kandidoj për kryetar të PD-së dhe në këto kushte duhet të heqim mjegullën. Arsyeja që unë dhashë urdhër të qëllohej lidhej me prekjen e gardhit të kryeministrisë.
Tani ai nuk ekziston më por në ato kohë ka qenë. Ju do pyesni sesi mund të vritet një njeri pse prek gardhin as kur kalon gardhin? Këtë ja u sqaroj unë zotërinj. Si fillim duhet të dini se gardhi është element shumë i rëndësishëm i folklorit popullor dhe i mentalitetit shqiptar. Kështu psh kemi rastet kur dy të dashuruar takohen te gardhi. Ose qeni stërvitet të lehë vetëm kur dikush kalon gardhin.
Madje kemi edhe proverba të tipit “po kalove gardh më gardh, do të ngulet dikur një hu”. Por rëndësia e gardhit është rritur edhe në kohët moderne. Kjo fillon me revolucionin francez. Psh, nëse Bastija do kishte një gardh, rojet e saj nuk do kishin dilema se kur të qëllonin mbi sulmuesit, matanë gardhit apo këtej gardhit. Kjo do kishte ndaluar revolucionin borgjez, pasi dihet që ne si konservatorë të rinj jemi kundër revolucioneve.
Por gardhi ka marrë rëndësi edhe në ditët tona. Kështu psh, ne nuk do kishim një sulm mbi Capitol Hill nëse ky do ishte i rrethuar me gardh. Nuk ka rëndësi se sulmuesit e gardhit këtë rradhë ishin aleatët tanë konservatorë të Trampit dhe Evit. Po kalove gardhin, të palos unë or zotëri bash me qenë edhe vllau im. Ndaj edhe sulmin e 8 janarit e organizuam pasi kishim kaluar gardhin si me lezet.
Dhe vijmë te 21 janari. Unë dhashë urdhër që të qëllonin mbi Aleks Nikën qyshse ai ishte tek ura e Lanës. Dukej ai që kishte ndërmend të kalonte gardhin. Edhe Hekurani që ishte me gazetarët kishte ndërmend të kalonte gardhin. Por më i rrezikshmi ishte Ziver Veizi. Ai po rrinte me duar në xhepa përpara gardhit. Si mund të ofendosh gardhin në këtë mënyrë mor zotëri.
Dihet nga gjithë shqiptarët që po ndejte me duar në xhepa para gardhit, e ke në mend ta kapërcesh. Ndaj edhe unë urdhërova të ekzekutoheshin këta kapërcyesh gardhesh. Në këto momente decizive për demokracinë ne kemi fatin e madh që kryeministria nuk ka më gardh dhe ata nuk mund të zbatojnë manualin e gardhit për t’u mbrojtur. Ndaj më 6 mars është edhe njëherë rasti t’i vemë gardhin te thana Edi Ramës dhe të rifillojmë demokracinë e gardheve.