Kryetari i Partisë Demokratike u vendos në “Debat” përballë faktit se në dhjetorin e vitit të kaluar në të njëjtën studio kishte deklaruar se do ta rimodelonte sistemin e drejtësisë pas konsulencës me Komisionin e Venecias.
Nisur nga deklarata e bërë sot prej tij se do ta shkrijë SPAK-un me ardhjen në pushtet të PD, moderatorja Alba Alishani kërkoi të dijë pse ka ndodhur ky ndryshim i madh në qëndrimin e Berishës përkundrejt drejtësisë së re.
Berisha u përgjigj duke thënë se nëse do të pranonte një prokurori politike, atëherë ai do të tradhtonte opozitarizmin.
“Nuk ka në mënyrë absolute përveç asaj që kam thënë këtu në dhjetor. Nëqoftëse unë do pranoja këtë Prokurori siç është unë do isha një tradhtar, më i madhi në historinë e opozitarizmit në Shqipëri. Unë kam këtu tre rezoluta ndërkombëtare. Të cilat damkosin SPAK-un si prokurori politike. Nëse unë si opozitar do pranoja një prokurori politike, unë do pranoja një gjëmë të madhe për vendin tim”, tha Berisha në “Debat” nga Alba Alishani, në A2 CNN.
Për të përforcuar qëndrimin e tij për shkrirjen e SPAK, Berisha mori si shembull Presidentin amerikan, Donald Trump.
“Tre ditë më parë Donald Trump ka shkrirë prokurorinë e Nju Jorkut. Dy ditë më parë Donald Trump ka shkarkuar të gjithë prokurorët e emëruar nga Joe Biden. Sepse vetëm e vetëm janë dëshmua prokurori politike, për asgjë tjetër. Sepse po të marrësh platformën e tij, platforma antikrim e tij është më e fuqishme seç ishte e Joe Biden”, tha ai.