PD dha shfaqjen e radhës së primitivizmit të vet politik, asht i kësaj force, me shans me koificient gati zero për t’i hapur vetes një tjetër kapitull politik, më të fisëm. Ia heqin këtë shans edhe prurjet e ashtuquajtura të reja, të cilat janë një hiç i frikshëm etik, kulturor dhe botëkuptimor.
Kësisoj, janë po aq të vjetër sa figurat e vjetra dhe të stërkonsumuara. Mishërim i tyre është Salianji. Dhe pikërisht Salianji ishte shkaku i aktit më të fundit primitiv të PD-së.
Deputetë të saj shkuan në gjykatë, të diktuar nga kokat e dy pjesëve të ndara, hem Berisha e hem Alibeaj, për të mbrojtur shokun e tyre të luftës nga një vendim ndëshkues lidhur me akuzën për fallsifikim në çështjen “Babale”.
Kujtojmë: Babale ishte një personazh i rendomtë i futur në një lojë përgjimi nga PD, më saktë Salianji personalisht, për të futur në kurth vëllanë e Fatmir Xhafajt, ministër Rendi në atë kohë.
Seanca nuk u zhvillua. Salianji e ka një verdikt i akuzuar si falsifikator, por duhet dhe një tjetër për t’ia bërë dënimin realitet, që mund të jetë burgu ose diç tjetër.
Jashtë gjykate. Salianji ia nisi dhe njëherë tjerrjes së asaj historie me përgjime, edhe pse ajo provokon të vjella tashmë. Të vjella, pasi bëhet fjalë për një lojë të trashë mashtrimi. Por më shumë se kaq, pasi është fjala për një mësimdhënës universitar, i cili futet në politikë duke u vetëpromovuar me përgjime.
Kjo është në sinkron me asgjënë e një emri si Salianji në politikë. Dhe kur themi asgjë, kemi parasysh atë shumëçkanë që duhet të kishte një mësimdhënës universitar kur zgjedh të performojë mendimin e dhe karakterin e vet në politikë.
I themi “mësimdhënës universitar”, pasi është një (vetë)fyerje inteligjence ta quash profesor. Profesor për çfarë?
Meqë ra fjala, në ç’fushë është kompetent Salianji?
Pra, edhe pa qenë në politikë, në ç’lëmë është adapt ai dhe cila është ajo punë që e dallon? Kur s’ishte në politikë, për ç’dallohej ky person, ky emër?
Dreqi e mori, një person para se të hyjë në politikë e të bëhet personazhi i saj, duhet më së pari të këtë lënë një gjurmë në shoqëri për diçka, për diçka që jo domosdoshmërisht lidhet me politikën por që lidhet domosdoshmërisht me formimin e tij impaktiv në publik. Në këtë pikë, duke i parë dhe performancën politike, edhe ligjërimin politik, Salianji përbën një dramë të vërtetë.
Dhe kur vjen fjala të afera “Babale”, mjaft që ai ka zgjedhur të merret me çimka, tregon se në ç’mjerim është. Në mjerim më pas është media që e ndjek verbtazi, e përcjell verbtazi e nuk arrin ta sfidojë duke i bërë një pyetje të thjeshtë: Ç’ne ti mësimdhënës universitar të merresh me çimka?
Ja, këtu duhej ai gazetari kurajoz me Ramën, që çudi, se si ai apo ndonjë tjetër, janë “sypatrembur” me kreun e mazhorancës dhe nga ana tjetër infantilë më personazhet e opozitës. Dhe nuk është nevoja të jesh sypatrembur, mjaft të jesh pak inteligjent.
Se kur je në nivel profesori, qeverisja e keqe mund të denoncohet si profesor e jo si agjent banal…dhe babal. Ndaj dhe emri i Salianjit njesohet me atë të Babales, pasi s’ka asgjë tej Babales.(Tesheshi)