Në qershor të vitit 2010, Banka e Shqipërisë i bleu Këshillit të Ministrave për 30.4 milionë euro ndërtesën e ish-hotel Dajtit. Në vitin 2017, Banka e Shqipërisë mbajti një tender të kufizuar ndërkombëtar me vlerë 16 milionë euro me shtatë kompani ndërtimi të huaja për rikonstruksionin e ndërtesës.
kanë kaluar pesë vjet nga tenderi dhe dy vjet nga afati i përfundimit të punimeve, ndërtesa ikonike e hotelit në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ në Tiranë është ende në rikonstruksion. Firma italiane që rezultoi fituese në tenderin me vlerë 16 milionë euro, hyri në proces falimenti më 20 qershor 2018 dhe më pas ia shiti kompaninë punëtorin të saj të ndërtimit për 1 mijë lekë
Dokumentet e siguruara nga BIRN zbulojnë se punimet për rikonstruksionin e ish-Hotel Dajtit nuk po kryhen nga kompania që u përzgjodh fituese në një tender ndërkombëtar në vitin 2017, pasi ajo është prej 5 vitesh në procedura falimenti.
Në qershor të vitit 2010, Banka e Shqipërisë i bleu Këshillit të Ministrave për 30.4 milionë euro ndërtesën e ish-hotel Dajtit, për ta kthyer në një kompleks zyrash për administratën e saj në rritje – një transaksion i pazakontë që ngjalli debate dhe akuza politike.
Në vitin 2017, Banka e Shqipërisë mbajti një tender të kufizuar ndërkombëtar me vlerë 16 milionë euro me shtatë kompani ndërtimi të huaja për rikonstruksionin e ndërtesës, duke premtuar se do të bënte transparencë për kompaninë fituese pas lidhjes së kontratës.
Megjithëse kanë kaluar pesë vjet nga tenderi dhe dy vjet nga afati i përfundimit të punimeve, ndërtesa ikonike e hotelit në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ në Tiranë është ende në rikonstruksion.
Edhe premtimi i Bankës së Shqipërisë për të bërë transparencë mbi kompaninë ndërtuese nuk është materializuar, ndërsa institucioni qendror financiar i vendit fshihet pas ‘sekretit bankar’, duke refuzuar kërkesat për informacion të bazuara në ligjin ‘Për të drejtën e informimit’.
Megjithatë, të dhënat dhe dokumentet e siguruara nga BIRN nga burime të tjera tregojnë se tenderi për rikonstruksionin e ndërtesës u fitua nga kompania italiane e ndërtimit “C.G.F Construzioni Generali s.p.a’ në bashkëpunim me shoqërinë lokale ‘AD-STAR’ sh.p.k.
Por italianët falimentuan një vit më pas dhe në skenë hyri një kompani shqiptare, e regjistruar në Tiranë nga një shtetase italiane me të njëjtin emër – “C.G.F Construzioni Generali s.p.a sh.p.k’, rrokadë që sipas ekspertëve, shkel rregulloren e prokurimit të Bankës së Shqipërisë.
“Nëse një kompani është zgjedhur mbi bazën e dokumentave të rregullt, të një procesi të rregullt dhe gjatë rrugës ajo falimenton, atëherë prokurimi duhet të ndërpritet dhe të rishpallet gara,” tha Selami Xhepa, profesor ekonomie në Universitetin Europian të Tiranës, ndërsa shtoi se zëvendësimi i kompanive kontraktore është “plotësisht i parregullt nga pikëpamja ligjore.”
E pyetur nga BIRN mbi procedurën e zëvendësimit të fituesit të tenderit, Banka e Shqipërisë refuzoi të komentonte.
“Çdo praktikë e jona klasifikohet sekret bankar deri në përmbylljen e plotë të procedurës,” insistoi ajo nëpërmjet një përgjigje me shkrim.
Pronari i kompanisë shqiptare ‘C.G.F Construzioni Generali shpk’, Halim Saliu ishte më i hapur. Ai i tha BIRN se nuk kishte rëndësi nëse kompania e tij ishte apo jo degë e kompanisë italiane.
“Kur Banka e Shqipërisë ka arritur të ruajë cilësinë, çmimet, gjithçka dhe të merreni me një devijim të tillë?” u ankua ai. “Nuk mund të quhet shkelje kur nuk ka dëm për xhepat e shqiptarëve, më habit kjo mënyra si ju gjykoni,” shtoi Saliu.
Ndërkohë, drejtuesi i kompanisë ‘AD-STAR’ sh.p.k, Alfred Çoma i tha BIRN se kompania e tij kishte pasur një rol të vogël në tender.
“Unë kam qenë në konsorcium me kompaninë italiane dhe kam patur një pjesë të vogël të punimeve, vetëm 10%,” tha Çoma, ndërsa shtoi se pjesa tjetër i takonte kompanisë italiane.
“Kemi qenë më tepër për rregullimin e fasadës, sepse aty është specialiteti i biznesit tim, në fushën e restaurimeve arkeologjike,” shtoi ai.
Kur BIRN i vuri në dukje se kompania italiane kishte falimentuar, Çoma deklaroi se nuk i kujtohej se kush ishte kompania me të cilën kishte bashkëpunuar.
“Nuk më kujtohet se ka kaluar kohë,” tha ai, ndërsa shtoi se i ka dorëzuar punimet.
Rokadë mes kompanive
E ndërtuar mes viteve 1939-1942, godina e Hotel Dajtit konsiderohet një nga ndërtesat më të rëndësishme historike të kryeqytetit. Punimet e hotelit u mbikëqyrën nga arkitekti fiorentinas Gherardo Bosio dhe dizenjimi në detaje u krye nga Giovanni Ponti, arkitekt milanez që konsiderohet si babai i dizajnit modern evropian.
Hoteli me 90 dhoma i mbajti dyert hapur edhe gjatë periudhës së regjimit komunist, duke pritur vizitorë shqiptarë e të huaj – këta të fundit të rrallë për Tiranën, në atë kohë kryeqyteti i vendit më të izoluar pas Perdes së Hekurt.
Pas rënies së regjimit, investimet e pakëta për pronat publike dhe konkurrenca nga hotelet e shumtë që u hapën, e venitën vëmendjen që tërhiqte kjo godinë. Hotel Dajti i mbylli dyert përfundimisht në mesin e viteve 2000.
BIRN arriti t’i sigurojë emrat e kompanive fituese në tenderin për rikonstruksionin e ish-Hotel Dajtit në sajë të një hetimi që nisi kryesisht në verën e vitit 2017 nga Prokuroria e Tiranës. Hetimi për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, i udhëhequr nga prokurori Endrit Bimi u pushua, pasi organi i akuzës arriti në përfundimin se nuk konstatoheshin elementë të veprës penale.
Por dokumentet e siguruara nga BIRN zbulojnë se disa muaj pas pushimit të hetimeve, një nga dy kompanitë fituese të tenderit ndërkombëtar falimentoi dhe Banka e Shqipërisë kontraktoi për kryerjen e punimeve një firmë të ndryshme nga ajo që u shpall fituese.
Sipas një dokumenti të Gjykatës Civile të Romës, ‘C.G.F Construzioni Generali s.p.a’ – firma italiane që rezultoi fituese në tenderin me vlerë 16 milionë euro, hyri në proces falimenti më 20 qershor 2018.
Tre muaj pas regjistrimit të kërkesës për faliment në Gjykatën e Romës, në Qendrën Kombëtare të Biznesit në Shqipëri është paraqitur një shtetase italiane e quajtuar Martina Lorenzetto, e cila ka bërë kërkesë për të regjistruar kompani me emër të njëjtë – ‘C.G.F Construzioni Generali s.p.a Sh.p.k’, me një kapital themeltar prej 1 mijë lekësh.
Kompania u regjistrua dhe pas disa muajsh vendosi si objekt dhe adresë dytësore kantierin e ish-Hotel Dajtit. Lorenzetto nuk rezulton të ketë lidhje direkte me kompaninë italiane ‘C.G.F Construzioni Generali s.p.a’, e cila ka pasur si aksionere kompaninë ‘FIMCA Holding srl’. Martina Lorenzetto nuk rezulton në asnjë post të këtyre shoqërive, qoftë në bord, qoftë në administrim apo drejtimin e firmës.
Sipas të dhënave të bilanceve, kompania nuk ka kryer punë në vitin 2018 dhe 2019 dhe rezulton pa të ardhura, ndërsa shpenzimet kanë qenë vetëm për pagat e punonjësve. Në vitin 2020, arkëtimet nga rikonstruksioni i godinës së ish-Hotel Dajtit ishin 350 mijë euro dhe fitimi 50 mijë euro. “C.G.F Construzioni Generali’ sh.p.k ka në organikën e saj 27 punonjës, numri i së cilëve u rrit eksponecialisht gjatë vitit të pandemisë 2020.
Një vit pas regjistrimit në Shqipëri, kompania në pronësi të italianes Lorenzetto heq nga emri i saj titullin s.p.a. Në nëntor 2020, firma i shitet për 1 mijë lekë shtetasit shqiptar Halim Saliu, i cili më parë rezulton si i punësuar pranë së njëjtës kompani si punëtor përgjegjës në ndërtim.
Saliu i tha BIRN se në regjistrimi i kompanisë me të njëjtin emër në Tiranë nga ana e Lorenzettos ishte thjesht një gabim burokratik.
“Nga dita që është dhënë kontrata ka një gabim procedurial, që ata nuk kanë hapur filial, kanë hapur një degë në Shqipëri dhe ky është i vetmi gabim që kanë bërë ata,” pretendoi ai.
Sipas profesor Xhepës, kompania e regjistruar në Tiranë nuk mund të konsiderohet në asnjë formë apo masë e lidhur me kompaninë ‘C.G.F Construzioni Generali s.p.a’, e cila ka pasur seli në Romë.
“Legjislacioni për organizimin e biznesit konsideron degë apo filial pronësinë e plotë të degës apo filialit nga kompania mëmë në vendin që operon,” shpjegoi Xhepa.
Kompania tjetër fituese në tenderin për punimet e hotel Dajtit, AD-STAR sh.p.k rezulton me seli në Gjirokastër. Në organikën e saj janë të punësuar 123 punonjës dhe duket e shëndoshë financiarisht.
Kompania me administrator dhe ortak shtetasin shqiptar Alfred Çoma ka një kapital prej 330 mijë eurosh. Të ardhurat vjetore të saj vitet e fundit variojnë nga 2.7 milionë euro në 2018 nër 4.3 milionë në 2019 dhe 5.3 milionë euro në vitin 2020.
AD-STAR është kontraktuar edhe në vepra të tjera publike, kryesisht në fushën e gërmimeve arkeologjike, eksperiencë të cilën ia plotësoi kompanisë italiane “C.G.F Construzioni Generali s.p.a” gjatë garës për punimet e ish-hotel Dajtit.
Sipas Saliut, bashkëpunimi midis kompanisë AD-STAR dhe “C.G.F Construzioni Generali Shpk’ ka qenë i ngushtë.
“AD-STAR dhe C.G.F janë dy kompani që në momente të caktuara i kanë shkëmbyer punonjësit me njëra-tjetrën dhe kanë paguar sigurimet për ta,” tha Saliu.
Rregullorja e prokurimit në Bankën e Shqipërisë e lejon nënkontraktimin e punimeve vetëm në rastin kur kontrata mes dy firmave është paraqitur gjatë dhënies së ofertës në tender. Të dhënat dhe dëshmitë e mbledhura nga BIRN sugjerojnë se në kantierin e Hotel Dajtit kanë punuar dhe kontraktorë të tjerë. Madje, njëri prej tyre, kompania Progeen sh.p.k, e ka reklamuar angazhimin e saj në internet.
“Progeen shpk prej Shtatorit 2019 është e angazhuar në kryerjen e një vëllimi të konsiderueshëm punimesh në kantierin e Bankës së Shqipërisë (Ish Hotel Dajti) për ndërtimin e godinave të reja me punime civile,” shkruan kompania në faqjen e saj në internet. “Momentalisht në kantier janë duke u zhvilluar punime për strukturat e objekteve të reja,” shton ajo në njoftim.
Genc Kuçuku, pronar i kompanisë Progeen i tha BIRN se kompania e tij ishe nënkontraktuar nga AD-STAR shpk për të bërë punime tek Hotel Dajti.
“AD-STAR kërkonte nënkontraktor, dhamë ofertën më të ulët dhe morëm kontratën,” tha Kuçuku. “Ne jemi si të them, bishti i kavallit,” shtoi ai.
Bilance negative
Në tetor të vitit 2016, Banka e Shqipërisë shpalli në gazetën britanike ‘Financial Times’ njoftimin për shprehje interesi për kompanitë e interesuara për rikonstruksionin e ndërtesës “Hotel Dajti”. Në përgjigje të këtij njoftimi shprehën interesin 11 kompani; pesë italiane, tre shqiptare, dy greke dhe një angleze.
Pas shqyrtimit të dokumentacionit, Banka e Shqipërisë bëri kërkime për kompanitë dhe ftoi shtatë prej tyre të marrin pjesë në tender, nga ku u paraqitën dy oferta – të dyja në bashkëpunim me firma shqiptare: “C.G.F Construzioni Generali s.p.a dhe AD-STAR sh.p.k” dhe DOMOTECHNIKI s.a dhe Elira sh.p.k”.
Në janar të vitit 2017, Banka e Shqipërisë nisi punën për përgatitjen e dokumenteve të tenderit dhe më 31 janar, grupi i prokurimit ia ka vënë në dispozicion dy kompanive, të cilat dhanë një ofertë zyrtare në fund të marsit. Nga shqyrtimi i dokumentacionit rezultoi se të dyja shoqëritë i plotësonin kriteret e vendosura, ndërsa fituese rezultoi oferta ekonomike më e mirë e “C.G.F Construzioni Generali s.p.a dhe AD-STAR sh.p.k”.
Bilancet financiare të kompanisë “C.G.F Construzioni Generali s.p.a” sugjerojnë se ajo ka qenë në vështirësi financiare në momentin kur është shpallur fituese e tenderit për rikonstruksionin e ish-Hotel Dajtit nga Banka e Shqipërisë.
Në vitin 2014, humbja e kompanisë ishte 5.4 milionë euro, ndërsa në vitin 2015 kompania ka dalë me një fitim modest prej 92 mijë eurosh. Në vitin 2016, humbja arriti 6.4 milion euro. Këto fakte ose nuk qenë të ditura, ose duket sikur janë anashkaluar nga komisioni i vlerësimit të ofertave të tenderit, si dhe hetimi që kreu Prokuroria e Shkallës të Parë Tiranë që pushoi çështjen për akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Regullorja e prokurimit për Bankën e Shqipërisë kërkon që operatorët në tender duhet të kualifikohen duke patur aftësinë e duhur profesionale, teknike dhe organizative, personel, burime financiare, makineri e pajisje të tjera, si dhe reputacion e besueshmëri për zbatimin e kontratës.
Profesor Selami Xhepa i tha BIRN se një subjekti që ka dy vite me humbje të thella nuk mund t’i besohen vepra të prokuruara në vlera të mëdha, aq më tepër në prokurime publike për objekte të rëndësisë së veçantë të konsideruara si strategjike.
“Kur kompania është me humbje, nuk mund të konsiderohet me burime financiare të shëndetshme,” tha Xhepa.
“Aq më tepër pastaj që nuk ka kurrsesi arsye për të bërë një përzgjedhje të tillë, kur ndërtimi i objekteve të tilla me vlera të mëdha dhe rëndësi publike krijon tërheqje për një numër të lartë kompanish, të rëndësishme, të mëdha dhe me kapitale të mëdha financiare,” shtoi ai.
Kufizimi i tenderit
Banka e Shqipërisë është e përjashtuar nga ligji “Për Prokurimin Publik” dhe zbaton rregulloren e miratuar për këtë qëllim nga Këshilli Mbikëqyrës, por në rastin e tenderit për rikonstruksionin e ish-Hotel Dajtit, rregullorja sërish është anashkaluar.
Neni 8 i saj lejon që tenderat të bëhen të kufizuar vetëm nëse vlera për ndërtimet nuk është më e lartë se 125 mijë euro. Në rastin e rikonstruksionit të godinës së ish-Hotel Dajtit, vlera është 16 milionë euro, ose 128 herë më e lartë. Rregullorja lejon që vetëm për motive konfidencialiteti dhe besueshmërie, me firmë të guvernatorit mund të ndiqet tenderi i kufizuar.
Në këtë rast, Banka e Shqipërisë ka ndjekur procedurën “Tender i Kufizuar Ndërkombëtar”, i cili lejon institucionin që të bëjë shpalljen dhe të vijnë shprehje interesi nga firma të ndryshme, por listën se cilat do të japin ofertë finale e bën vetë Banka. Grupi i prokurimit ka marrë miratimin e guvernatorit për të kryer procedurën “Tender i Kufizuar”, i cili e mbështeste mbi një raport të Sektorit Teknik për gjendjen e godinës dhe klasifikimin e saj si monument kulture. Ky arsyetim është gjetur i drejtë edhe nga prokuroria.
“Arktiektuara është unike, e shkollës italiane dhe kërkon për t’u restauruar pa cënuar vlerat origjinale,” shkruhet në vendimin për pushimin e hetimeve të prokurorit Endrit Bimi.
“Kushtet aktuale teknike rezultojnë të kenë treguar një strukturë të degraduar dhe nevojë për një teknologji të veçantë që të garantojë qëndrueshmërinë e objektit,” shton Bimi, i cili rendit mes raporteve për qëndrueshmërinë e godinës, një raport të Institutit të Ndërtimit dhe një raport të kompanisë që pastronte fasadat e ndërtesës.
Por gjetja e një kompanie që të ketë pajisje të veçanta për të mbajtur të qëndrueshëm objektin mund të vendosej si kriter në një tender të hapur- thonë ekspertët.
Sipas Selami Xhepës, për Bankën e Shqipërisë mund të jetë e drejtë ndjekja e procedurave të kufizuara vetëm për objekte të karakterit të veçantë, ku ruajtja e sekretit është i domosdoshëm, siç mund të jetë emetimi i monedhës apo printimi i saj.
“Nëse këtë objekt do t’a bënte për të ruajtuar rezervën valutore apo për të kryer operacionet që përbëjnë “sekret shtetëror” mund të presupozohej aplikimi i rregullave të kësaj natyre,” tha ai.
“Por adoptimi i një ndërtese ekzistuese që do të bëhen vetëm zyra për ambiente pune nuk justifikon kurrsesi natyrën sekrete të një operacioni,” përfundoi ai.
Sekreti bankar?
Fillimin e punimeve për rikonstruksionin e godinës së ish-Hotel Dajtit, Banka e Shqipërisë e njoftoi në verën e vitit 2017 përmes një njoftimi për shtyp. Në deklaratë mungonte fondi limit i garës, kompanitë që morën pjesë, emri i fituesit dhe oferta fituese e kontratës.
Rregullorja për prokurimin publik, e miratuar në vitin 2006 kërkon që fituesit e garës të jenë konfidencialë deri në momentin që nënshkruhet kontrata.
“Pas hapjes së ofertave, informacionet në lidhje me shqyrtimin, me sqarimin dhe me vlerësimin e ofertave dhe rekomandimet për ofertën fituese janë konfidenciale dhe nuk duhet t’u bëhen të njohura ofertuesve ose personave të tjerë, që nuk janë të angazhuar zyrtarisht në këtë proces, derisa të lidhet kontrata.” shkruhet në rregullore.
Përballë kërkesave të shumta të mediave dhe presionit të opinionit publik, Banka sqaroi disa ditë pas njoftimit të parë procedurën e tenderimit të godinës dhe vendimarrjen për punimet e ish-Hotel Dajtit në një sqarim publik, duke premtuar se do të tregonte emrin e kompanisë fituese pas firmosjes së kontratës.
“Në bazë të detyrimit ligjor, “Për të drejtën e informimit”, pas nënshkrimit të kontratës, Banka e Shqipërisë do t’i bëjë të ditur publikut emrin e subjektit fitues të procedurës së prokurimit dhe fondin në dispozicion të zbatimit të kontratës,” deklaroi banka në një njoftim.
Pesë vjet nga ky premtim publik, Banka e Shqipërisë jo vetëm që nuk ka publikuar emrin e fituesit, por ka refuzuar në disa raste kërkesat për informacion të drejtuara nga media për të mësuar emrin e kompanisë që po kryen punimet.
Pas një kërkesë të drejtuar nga BIRN për informacion mbi kompanitë pjesëmarrëse në garë, ofertën financiare të secilës, emrin e fituesit, arsyet e shtyrjes së punimeve dhe penalitetet e vendosura për kompaninë e kontraktuar për shkelje të afateve, Banka e Shqipërisë refuzoi të bëjë transparencë duke e konsideruar këtë informacion si “sekret bankar”.
BIRN e ankimoi më pas përgjigjen pranë zyrës së Komisionerit për të Drejtën për Informim dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, i cili e urdhëroi Bankën e Shqipërisë që ta vendosë në dispozicion informacionin e kërkuar.
“Komisioneri vlerëson se ky argument nuk qëndron, pasi terminologjia “Sekret Bankar” e përdorur nga Autoriteti Publik nuk gjen rregullim të posaçëm në ligjin “Për Bankën e Shqipërisë” dhe aktet në zbatim të tij, përkundrazi inkurajojnë transparencën dhe besueshmërinë e publikut,” thuhet në vendimin e Komisionerit, Besnik Dervishaj.