Prokuroria e Posaçme ka dhënë sinjale se do të ndëshkojë të ngelurit në veting. Gjatë kësaj jave u bë sekuestrimi i pronave për Bashkim Dedjan, Shkëlzen Selimin dhe Fatos Lulon, ndërkohë janë dhe një numër i madh emrash të tjerë që po hetohen dhe do të kenë të njëjtin fat.
SPAK fillimisht ka ngritur akuza për fshehje pasurie, vepër e cila dënohet deri në 3 vite burgim, por për disa mund të ketë më shumë se një akuzë. Nga një verifikim që ka bërë gazeta tek të gjitha vendimet e shkarkimit të dhëna nga KPK, rezulton se pjesa më e madhe e gjyqtarëve dhe prokurorëve kanë kryer deklarim të rremë, fshehje pasurie, falsifikim të formularit, falsifikim të dokumenteve dhe mashtrim me kreditë.
Mes emrave ka dhe të tjerë që kanë kryer evazion fiskal. Sipas parashikimeve në Kodin Penal, mosdeklarimi i pasurisë apo deklarimi i rremë dënohet deri në 3 vite burg. Falsifikimi i formularit dënohet deri në 4 vite burg, ndërsa falsifikimi i dokumentit dënohet deri në 3 vite burg. SPAK ka nisur hetimet për 28 emra, që vijnë nga radhët e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, ndërsa për shkallët e tjera hetimet duhet të nisin nga prokuroritë e rretheve.
Megjithatë presioni ndërkombëtar është në rritje. Një vit më parë ministrat e Jashtëm të BE hapën negociatat me Shqipërinë, por duke lënë disa detyra shtëpie, ndër to kërkohej: Lufta ndaj korrupsionit, funksionimi i SPAK, BKH, Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, si dhe hetimi i të ngelurve në veting. Shumë shpejt BE dhe qeveria shqiptare do të mbajnë një mbledhje të përbashkët ku do të analizohet përmbushja e kushteve dhe hetimi i të ngelurve në veting është kyç për ecurinë e vendit drejt Bashkimit Europian.
Emrat e dorëhequr
Përveç të ngelurve në veting, janë dhe rreth 62 emra të dorëhequr që rrezikojnë të hetohen dhe t’u sekuestrohet pasuria. Ajo që bie në sy është se shumica e të dorëhequrve kanë pasuri shumë të lartë, sidomos emrat që kanë qenë në Gjykatën e Lartë. Strategjia që kanë ndjekur të dorëhequrit është e mjaft e sofistikuar. Shumica dorëzuan formularët e pasurisë sapo u miratua ligji me shpresën se do të ishte një proces sa për të larë duart. Por kur vetingu dëshmoi se po ecën, të gjithë u tronditën.
Sipas ligjit, pasi KPK mbyll procesin e verifikimit ia kalon barrën e provës subjektit, për pasuri apo elemente të tjera që ata mendojnë se përbëjnë shkelje apo nuk janë në përputhje. Gjyqtari apo prokurori duhet të justifikojë pasuri të caktuara vlera e të cilave nuk përputhet, pasuri të padeklaruara, etj.
Shumica me vetëdije nuk kanë deklaruar shumë pasuri apo iu kanë ndryshuar vlerat dhe KPK e ka zbuluar këtë gjë. Në momentin që i informon ata e kanë kuptuar se nuk i shpëtojnë dot shkarkimit dhe menjëherë i drejtohen KLGJ-së duke dhënë dorëheqjen. Por Kodi i Procedurës Penale detyron institucionet, qoftë ILDKP, qoftë KPK që të bëjnë padi kur shohin shkelje.
“Nëpunësit publikë, të cilët gjatë ushtrimit të detyrës ose për shkak të funksioneve a të shërbimit të tyre, marrin dijeni për një vepër penale që ndiqet kryesisht, detyrohen të bëjnë kallëzim me shkrim edhe kur nuk është individualizuar personi, të cilit i atribuohet vepra penale. Kallëzimi i paraqitet prokurorit ose një oficeri të policisë gjyqësore. Kur, gjatë një procedimi civil ose administrativ, zbulohet një fakt që përbën vepër penale që ndiqet kryesisht, organi përkatës bën kallëzim te prokurori”, thuhet në nenin 281 të Kodit Penal.