Senatori demokrat Bernie Sanders i është përgjigjur dhëmbë për dhëmbë presidentit amerikan, Donald Trump, lidhur me planet e tija për të zhvendosur palestinezët nga Gaza në vendet fqinje.
Sipas Sanders, komentet e Trump janë flagrante dhe përbëjnë precedentë për spastrim etnik dhe krim lufte.
Propozimi i Donald Trump që një numër i madh i palestinezëve duhet të largohen nga Gaza për të “pastruar” të gjithë rripin është hedhur poshtë nga aleatët e SHBA-ve në rajon dhe është sulmuar si i rrezikshëm, i paligjshëm dhe i papërshtatshëm nga avokatët dhe aktivistët.
Presidenti amerikan tha se do të dëshironte që qindra mijëra njerëz të shpërngulen në vendet fqinje, ose “përkohësisht ose mund të jetë afatgjatë”. Destinacionet mund të përfshijnë Jordaninë, e cila tashmë pret më shumë se 2.7 milionë refugjatë palestinezë dhe Egjiptin, shtoi ai.
“Më mirë do të përfshihem me disa nga vendet arabe dhe të ndërtoj banesa në një vend tjetër ku ata mund të jetojnë në paqe për një ndryshim”, u tha Trump gazetarëve në Air Force One. “Ju jeni duke folur për ndoshta një milion e gjysmë njerëz, dhe ne thjesht e pastrojmë të gjithë atë dhe themi: “E dini, ka mbaruar”.
Popullsia e Gazës para luftës ishte 2.3 milionë. Jordania dhe Egjipti e kanë bërë të qartë se nuk do të marrin refugjatë nga Gaza. Të dielën, ministri i Jashtëm jordanez, Ayman Safadi, tha se refuzimi i vendit të tij për çdo zhvendosje të palestinezëve ishte “i vendosur dhe i palëkundur”.
Brenda Gazës ka pak shenja se njerëzit që kanë duruar mbi 15 muaj luftime duan të largohen përgjithmonë në numër të madh, nëse ekziston një armëpushim aktual. Zhvendosja e detyruar e banorëve do të ishte një krim lufte.
Të dielën mijëra njerëz u ngjitën në postblloqet ushtarake izraelite, duke shpresuar të kthehen në shtëpitë e tyre në veri sipas kushteve të një marrëveshjeje të përkohshme armëpushimi. Izraeli refuzoi t’i linte të kalonin, duke akuzuar Hamasin për shkelje të kushteve të marrëveshjes.
“Të “pastrohet” Gaza menjëherë pas luftës do të ishte në fakt një vazhdim i luftës, përmes spastrimit etnik të popullit palestinez,” tha Hassan Jabareen, drejtori i grupit palestinez të të drejtave Adalah.
Do të kishte pak besim në çdo ofertë për zhvendosje të përkohshme jashtë Gazës për të lejuar rindërtimin, duke pasur parasysh një histori të zhvendosjeve të përsëritura duke filluar me Nakba, ose katastrofën, e vitit 1948, në të cilën rreth 700 mijë palestinezë u dëbuan nga atdheu i tyre pas krijimit të Izraelit. Në atë kohë, shumë menduan se thjesht po largoheshin përkohësisht dhe për dekada mbajtën çelësat e shtëpive që shpresonin t’i rimarrinin.
Omer Shatz, një lektor i së drejtës ndërkombëtare në Sciences Po Paris dhe këshilltar i Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC), tha se komentet e Trump ishin një “thirrje për spastrim etnik” që i bënte jehonë thirrjeve të politikanëve dhe figurave publike ekstremiste izraelite që datojnë nga fillimi i luftës.
“Ne jemi dëshmitarë të një vazhdimësie jashtëzakonisht të rrezikshme, por të natyrshme të thirrjeve dehumanizuese dhe gjenocidale që kemi parë nga zërat më ekstremë brenda Izraelit”, tha ai.
Në dhjetor Shatz detajoi akuzat për nxitje për gjenocid nga tetë zyrtarë dhe figura publike izraelite në një çështje historike të paraqitur në ICC. “Kjo dëshmohet nga fakti se askush nuk e merr parasysh atë që duan Gazanët, kur mezi kanë filluar të pastrojnë rrënojat, duke gjetur eshtrat e të dashurve të tyre të varrosur atje”, tha ai.