Është zbardhur vendimi i plotë për dënimin e ish-deputetit të Partisë Demokratike, Ervin Salianji i cili inskenoi çështjen “Babale” për të sulmuar ish ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj.
Ish ligjvënësi u dënua nga Gjykata me 1 vit burg me akuzën e kallëzimit të rremë, të kryer në bashkëpunim, me sajimin e një audio-përgjimi të rremë me qëllim përfshirjen e vëllait të Xhafajt në trafikun e lëndëve narkotike.
Në vendimin e Gjykatës vërtetohet se Salianji është përfshirë në kallëzimin e rremë për interesa politike të tij dhe të partisë ku ai bën pjesë, Partisë Demokratike të Shqipërisë.
Ndërkohë, Gjykata Penale del me përfundimin se Alber Veliu i njohur si Babalja dhe që u dënua me 3 vite e 8 muaj burg, u akomodua në Selinë e Partisë Demokratike dhe më pas ka dhënë edhe intervistën e instruktuar nga funksionarë të “selisë blu”.
“Biseda e stimuluar mes Albert Veliut dhe Fredi Alizotit është regjistruar në janar 2018. Biseda është regjistruar në një mjet përgjimi stilolaps të cilin Albert Veliu ja ka dorëzuar Ervin Salianjit. Ndërkohë Fredi Alizoti stimuloi zërin e Agron Geron Xhafës.” thuhet ndër të tjera në vendimin e gjykatës Penale.
Ndër të tjera Gjykata shprehet se Veliu, Alizoti, Salianji dhe gazetari Jetmir Olldashi kanë pasur komunikime të shpeshta para dhe pas veprës penale që kanë kryer. Sipas Gjykatës komunikimet e shpeshta që kanë bërë mes tyre nuk kanë asnjë shpjegim tjetër veçse përfshirjen në audiopërgjime.
“Në tetor 2017, Albert Veliu ka marrë takim me Ervin Salianjin. Me 20 tetor 2017 Veliu ka biseduar me Salianjin për 51 sekonda. Ky komunikim përveçse motiveve për audiopërgjimin si lidh të pandehurit me asnjë shkak tjetër. Nuk janë as miq as të afërm. Ervin salianji realizoi kontaktin e Albert Veliut me gazetarin Jetmir Olldashi. Deklarimet publike te Salianjit nuk dhanë asnjë provë për veprën penale të trafikut të drogës në ngarkim të Agron Xhafës.”
Ndërkohë sipas argumentimit të audiopërgjimit, Gjykata shprehet se ka patur një numër të lartë bisedash mes Albert Veliut dhe Fredi Alizotit dhe këto biseda janë kompromentuese.
“Nga të gjitha provat dhe tabulatet telefonike rezulton se zërin e Agron Xhafës e ka bërë Fredi Alizoti. Kjo veprimtari e kallëzimit të rremë nuk mund të konsiderohet e kryer brenda fushës së ushtrimit te funksionit politik te deputetit apo ushtrimit te lirisë së shprehjes.” thuhet më tej në argumentimin prej 60 faqesh të Gjykatës së Shkallës së Parë.
Skema e ngritur për llogari politike të Partisë Demokratike kishte si qëllim goditjen e ish kreut të komisionit të posaçëm të reformës në drejtësi Fatmir Xhafaj dhe përmes tij të gjithë meganizmin e ngritur për reformimin e drejtësisë dhe ngritjen e organeve të reja.
Ish-deputeti Salianji dhe gazetari Olldashi u shpallen fajtorë me 18 dhjetor të vitit që lamë pas. (TemA)