Dita për të goditur korrupsionin në nivele të larta dhe krimin e organizuar po afron. Vitit 2019 do sjellë zyrtarizimin e SPAK dhe përgatitjet kanë nisur që tani. Qeveria ka bërë publik buxhetin për vitin 2019 dhe aty një kategori i është kushtuar reformës në drejtësi. Sipas të dhënave, do jepen rreth 5 milionë dollarë për të ngritur SPAK, KLGJ e KLP.
Por vlerësime krejt të tjera kanë paraqitur institucionet aktuale të drejtësisë, të cilat parashikojnë një shtesë prej rreth 10 milionë dollarësh për të mbuluar shpenzimet e personelit. Ato parashikojnë se për mbarëvajtjen e sistemit do të nevojitet një shtesë stafi mbështetës prej 419 punonjësish bashkë me shërbimet përkatëse.
Këtij fondi ata i shtojnë edhe rreth 9 milionë dollarë, kosto që mund të vijnë nga risqe të pamaterializuara ende. Fakti që në buxhet do ketë një fond të posaçëm për këto organe, tregon se në 2019 SPAK e BKH do jenë gati.
Roli i ndërkombëtarëve
Teksa qeveria ka bërë detyrën e vet dhe ka bërë gati fondet, duket se ndërkombëtarët janë duke përgatitur terrenin që këto organet të funksionojnë normalisht. ‘Sot’ ka siguruar raportin e Ministrisë së Drejtësisë sa i takon bilancit 6 mujor mbi ecurinë e luftës ndaj korrupsionit dhe aty bëhet e ditur se ka pasur një bashkëpunim shumë të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë. Sipas të dhënave të bërë publike aty, nga muaji janar deri në qershor janë dorëzuar rreth 384 dosje me informacion sa i takon luftës ndaj krimit dhe korrupsionit.
Këto të dhëna janë kërkuar nga qeveria shqiptare dhe SHB-BE janë treguar të gatshme duke dhënë informacione të shumta. “Numri i informacione të shkëmbyera me agjencitë homologe, në fushën e krimeve ekonomike dhe financiare janë: 240 informacione me Interpolin; 133 informacione me Europolin; me rrjetin e zyrave për gjetjen e rikuperimin e aseteve kriminale CARIN, 3 informacione; 8 informacion të ardhura nga Interforca”, thuhet në raport.
Sipas dokumentit, Ministria e Brendshme gjatë periudhës raportuese ka nënshkruar 7 marrëveshjeve dypalëshe dhe shumëpalëshe në luftën kundër krimit, si Memorandumin e qëllimit ndërmjet RSH-së dhe SHBA-së për instalimin dhe përdorimin e sistemit për krahasimin dhe vlerësimin e sigurt të identifikimit personal; Dokument Bashkëpunimi, letër Qëllimi Ndërmjet Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë për Drejtësi dhe Siguri të Holandës për Bashkëpunimin në Luftën Kundër Krimit Ndërkombëtar etj.
Mesazhi i SHBA-BE
SHBA dhe BE duket se po u japin një mesazh shumë të qartë pushtetarëve shqiptarë. Gjatë këtij viti është rritur bashkëpunimi me shumë agjenci ligjzbatuese, ndërkohë që ka nisur trajnimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Në 6 muajt e parë të këtij viti, policia e prokuroria kanë zhvilluar 7 trajnime të përbashkëta në fushën e korrupsionit dhe të krimeve në detyrë mes institucioneve ligjzbatuese me 13 përfitues nga burimet njerëzore që do të merren me trajtimin e rasteve të denoncuara nga qytetarët. Trajnimet janë kryer nga: 2 nga “OPDATE”; 3 nga Prokuroria e Përgjithshme; 1 nga Ambasada e Turqisë dhe 1 nga BE.
Ndërsa Shkolla e Magjistraturës ka zhvilluar 4 aktivitete trajnuese me tematikë për anti korrupsionin ku janë trajnuar në total 21 gjyqtarë, 100 prokurorë dhe 1 inspektor nga KLD.
Pra duket se po bëhet gati terreni që të nisë reprezalja në politikë dhe në radhët e krimit të organizuar. Ndërkombëtarët kanë dorëzuar vetëm për 6 muaj mbi 380 dosje me të dhëna dhe këto informacione janë në hetim. Përmes tyre prokuroria aktuale mund të nisë goditjet, por të dhënat më pas mund t’i kalojnë SPAK. Pra në 2019 pritet që të ketë luftë të ashpër ndaj korrupsionit.