Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian vijojnë ta bëjnë të qartë se reforma në drejtësi është shumë e rëndësishme për ta. Pavarësisht sulmeve dhe akuzave të opozitës dhe presidentit, vlerësimet për organet e reja janë maksimale.
Opozita jashtë parlamentare ka hedhur akuza të forta në drejtim të kreut të Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani, duke e cilësuar këtë të fundit si person politik, për faktin se ai është vëllai i deputetes socialiste. Por këto akuza nuk janë marrë fare parasysh nga faktori ndërkombëtar në vendin tonë, të cilët i kanë ofruar një mbështetje maksimale. Ditën e djeshme, ambasadorja e SHBA, Yuri Kim dhe ai i BE Luigi Soreca zhvilluan një takim me kreun e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metanin. Në takim ambasadorët i kanë shprehur mbështetjen Metanit duke e konsideruar ILD si një institucion i rëndësishëm në sistemin e drejtësisë.
Përmes një postimi në faqen zyrtare të Inspektoratit, Metani i vuri në dijeni ambasadorët me detyrat e institucionit siç është hetimi i shkeljeve të gjyqtarëve dhe prokurorëve si dhe fillimin e procedimit disiplinor ndaj tyre. Kuvendi kaloi kohët e fundit ndryshimet në ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve” që u kthye mbrapsht nga presidenti Meta pasi e pajiste ILD me kompetenca shtesë siç ishte kërkimi dhe pezullimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve.
“Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani priti sot në takim ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, znj. Yuri Kim dhe ambasadorin e Bashkimit Europian, z. Luigi Soreca. Inspektori i Lartë Metani i njohu ambasadorët me detyrat dhe sfidat e institucionit të ri kushtetues, përgjegjës për verifikimin e ankesave, hetimin e shkeljeve disiplinore dhe fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve. Ambasadorja Kim dhe ambasadori Soreca shprehën mbështetjen e fortë për punën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, si një institucion i rëndësishëm në strukturën e sistemit të drejtësisë”, thuhet në njoftimin e ILD.
Nisja e punës së Metanit
Por pavarësisht akuzave të forta nga ana e opozitës, kreu i Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, pas marrjes së detyrës ka gati dosjet për gjyqtarët dhe prokurorët e dyshuar për përfshirjen në afera. Pak ditë më parë ai bëri me dije se kanë mbërritur mbi 900 ankesa për gjyqtarët dhe prokurorët dhe se për të përballuar këtë fluks është ngritur një strukturë provizore. Këto ankesa kanë ardhur gjatë periudhës 2017-2020, kur ky institucion nuk ekzistonte. “Jam i ndërgjegjshëm se për shkak të mungesës së inspektimit për një kohë të gjatë mua dhe ILD-së na pret një volum dhe një problematikë e lartë pune ashtu siç janë dhe pritshmëritë.
Konkretisht ILD-së do i kalojë një volum i madh ankesash, rreth 900, të cilat janë dorëzuar gjatë periudhës tranzitore, 2017-2020 pranë KLGJ ose Prokurorisë së Përgjithshme”, tha Metani. Po ashtu kreu i Inspektoratit ka nisur punën me një inspektim në gjykatat dhe prokuroritë e vendit, pas lirimit me kusht të dy ish- anëtarëve të bandës së Durrësit. Endrit Dokle u lirua nga gjyqtarja e Gjykatës Krujë, Enkelejda Hoxha e cila i hoqi dënimin e përjetshëm duke ia ulur në 25 vite heqje lirie dhe më pas e la të lirë me kusht me 5 vite shërbim prove. Gjithashtu edhe Gjykata e Fierit vendosi lirimin me kusht të Sardian Sulejmanit, i cili ishte dënuar me 25 vite heqje lirie, duke i falur dënimin e mbetur prej 4 vjet, 10 muaj e 17 ditë burgim. ILD përmes një njoftimi për media, bëri me dije se po inspekton të gjitha trajtimet e kërkesave për lirimet me kusht nga 1 janari i 2017 deri në 31 janar 2020, por thotë ndër të tjera se po ndjek me vëmendje zhvillimet e fundit./Sot/ ELISJEDA KIKO