Shtetet e Bashkuara të Amerikës përshëndetën vendimin e djeshëm të Lulzim Bashës për t’u dorëhequr nga kryetari i Partisë Demokratike.
Nëpërmjet një deklarate të Ambasadës Amerikane në vendin tonë, Uashingtoni la të nënkuptohej se nuk ndryshon qëndrimi i tij që selia blu të drejtohet në të ardhmen nga një politikan jo i shpallur “non grata”, duke shënjestruar kështu ish-kryeministrin Sali Berisha.
Në deklaratën e publikuar në faqen zyrtare, Ambasada e SHBA në Shqipëri u shpreh se shpreson që PD të vazhdojë të forcojë marrëdhëniet me shtetin amerikan për të kontribuar në realizimin e reformave madhore në Shqipëri në kuadër të aspiratës së integrimit në BE. “Vendimi i marrë nga Lulzim Basha sot për t’u dorëhequr si Kryetar i Partisë Demokratike meriton respekt.
Vënia e interesave të partisë dhe të vendit mbi ato personale është shenjë e udhëheqësisë së vërtetë. Shpresojmë që vendimi do të përcaktojë rrugën që Partia Demokratike të ecë përpara drejt së ardhmes; do të forcojë marrëdhënien e veçantë të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara; të përforcojë mbështetjen për reformat dhe përpjekjet e tjera për qëllimin e Shqipërisë për t’iu bashkuar Bashkimit Europian”, shkruhet fillimisht në deklaratën e publikuar nga ambasada amerikane.
Amerikanët i presin shpresat Sali Berishës, Yuri Kim
Por deklarata e djeshme e ambasadës së SHBA në Tiranë, është e para që vjen, pasi kjo e fundit nuk ka reaguar as për zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit, duke treguar edhe njëherë se Uashingtoni e ka kryefjalë të tij Partinë Demorkatike.
Kjo do të thotë se ata dëshirojnë të forcojnë raportet me PD, pavarësisht largimit të Bashës, ndërsa inkurajojnë këtë forcë politike që të matarohet, pasi e shohin si parti që duhet të vijë në pushtet. Ndërkohë po të lexohet me kujdes deklarata e ambasadës amerikane, duhet qartë që Sali Berishës i është mbyllur dera dhe se ata nuk e duan atë në krye të Partisë Demorkatike.
Megjithatë lidhur me të ardhmen e PD, ambasada e SHBA shtoi se partia më e madhe opozitare duhet të drejtohet mbi parimet dhe idealet e demokracisë në mënyrë që nesër të vijë në pushtet. “Të ritheksojë parimet dhe idealet demokratike mbi të cilat u themelua. Një opozitë e fortë që mund të jetë e gatshme për të udhëhequr është thelbësore për demokracinë.
Mbështetja e Shteteve të Bashkuara për demokracinë dhe përkushtimi për të luftuar korrupsionin dhe pandëshkueshmërinë mbeten të pandryshuara”, mbyllet qëndrimi i SHBA për dorëheqjen e Lulzim Bashës nga funksioni i kryetarit të PD.
Kronologjia e luftës së humbur të Bashës ndaj Berishës
Sidoqoftë për të kuptuar më shumë prapaskenat dhe si arrti Partia Demorkatike deri në këtë pikë, ku e djeshmja kulmoi me dorëheqjen e Lulzim Bashës, gazeta po sjell në mënyrë të detajuar historikun. Fillimisht ishte SHBA që shpalli “non grata” Sali Berishën dhe familjen e tij në 19 maj 2021 me motivin se ish-kryeministri ka kryer korrupsion si dhe ka minuar demokracinë gjatë 13 viteve në pushtet.
Ndërkohë Berisha paditi në 5 gusht 2021 në Gjykatën Korreksionale të Parisit, Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken për shpifje lidhur me shpalljen “non grata” nga SHBA. Më pas Lulzim Basha vendosi të pezullonte në 9 shtator 2021 Sali Berishën nga grupi parlamentar i PD. Vendimi i tij shkaktoi krisjen përfundimtare dhe nisjen e “luftës” politike me ish-kryeministrin.
Por ish-lideri i PD akuzoi publikisht Bashën mëngjesin e 10 shtatorit 2021 se ka shkatërruar opozitën duke bashkëpunuar me kryeministrin Edi Rama. Basha e konsideroi paraardhësin e tij si pjesë të “Trekëndëshit të Bermudës” të politikës shqiptare të korruptuar së bashku me presidentin Ilir Meta dhe kryeministrin Edi Rama.
Ndërkohë në periudhën 26 shtator-28 tetor 2021, Berisha organizoi një tur takimesh me demokratët në Shqipëri duke propozuar shkarkimin e Lulzim Bashës nga funksioni i liderit të PD. Ai konfirmoi krijimin e fraksionit Komisioni për Rithemelimin e PD. Më pas në 11 dhjetor 2021, Kuvendi i Anëtarësisë së PD miratoi me 4446 vota pro shkarkimin e Lulzim Bashës nga kreu i PD. Gjithashtu, u vendos në Statutin e PD që kryetari të dorëhiqet pasi humb zgjedhjet parlamentare.
Po ashtu, në 18 dhjetor 2021, Kuvendi i thirrur nga Basha në Pallatin e Kongreseve miratoi me 5004 vota pro që asnjë politikan demokrat i shpallur “non grata” të jetë pjesë e strukturave drejtuese të PD. Në këtë mënyrë, Berisha u shkarkua nga të gjitha funksionet partiake. Po në këtë datë, referendumi i thirrur nga Berisha për shkarkimin e Bashës u shpreh pozitivisht me afro 98% të votave (44 mijë anëtarë pro).
Mirëpo momenti më kritik i përçarjes së PD u konfirmua në 8 janar 2022, kur mbështetësit e Sali Berishës sulmuan godinën e selisë blu për disa orë. Policia shpërndau më pas demonstruesit me gaz lotsjellës dhe forca të shumta të rendit. Ndërsa 3 ditë më pas, Kryesia e PD vendosi përjashtimin nga partia të Sali Berishës.
Megjithatë pavarësisht këtyre, PD zyrtare pësoi rezultatin më zhgënjyes në historinë e saj duke u renditur në vendin e fundit në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit 2022. Koalicioni “Shtëpia e Lirisë”, i drejtuar nga Sali Berisha fitoi Bashkinë e Shkodrës dhe u rendit me vota total përpara PD zyrtare. Pasditen e djeshme, Lulzim Basha mori vendimin e tërheqjes nga drejtimi i PD.