Kandidon për Gjykatë Kushtetuese, vettingu zbulon se në 2014 Ambasada e SHBA-ve në Tiranë i ka refuzuar vizën gjyqtarit të Krimeve të Rënda, Luan Hasneziri. Hasneziri rrezikon të penalizohet për këtë fakt pasi ai se ka shënuar në formularin e dekriminalizimit me argumentin se nuk ka pasur detyrim. Për Hasnezirin vettingu është kryer në dy kolona për pasurinë dhe figurën, nga ku ka rezultuar se sipas Inspektoratit të Deklarimit të Pasurive ai kishte probleme me pasurinë me deklarim të pasaktë. Po ashtu KPK ka nxjerr në pah se si për krijimin e apartamentit prej 135 m2 dhe një automjeti gjyqtari Hasneziri ka pasur mungesë burimi dhe të dhëna të pasakta ndër vite, përfshi dhe tre adresa banimi. Edhe drejtoria e informacionit të klasifikuar DSIK ka sjell raport se Hasneziri është i papërshtatshëm për të vazhduar detyrën e gjyqtarit. Refuzimi i vizës nga SHBA-ja në vitin 2014 si dhe problemet me pasurinë kanë mjaftuar që prokurori i Krimeve të Rënda, Luan Hazneziri të mos kalojë procesin e Vettingut. Trupa gjykuese e përbërë nga Valbona Sanxhaktari, Roland Ilia, Xhensila Pine kanë dhënë sot vendimin për dy kandidatën për Gjykatën Kushtetuese dhe një tjetër për SPAK.
Mësohet se Hazneziri nuk ka plotësuar një prej kushteve të nevojshme për të vijuar qëndrimin në detyrë në organet e Drejtësisë, atë të pasurisë. Fundjavën e shkuar, ai vendosi t’i hap rrugë edhe një kërkese të prokurorisë belge për të pyetur kreun e opozitës, Lulzim Basha për llogari të hetimit për dosjen “Toyota “Auris”. Ndërkohë ka marrë “dritën jeshile” gjykatësja e Tiranës, Regleta Panajoti kandidati për Kushtetuesen gjithashtu. Në seancën dëgjimore, të zhvilluar dy ditë më parë, gjyqtarja u paraqit pa shoqërinë e një avokati mbrojtës, ku rezultoi se s’kishte probleme me pasurinë, anën profesionale dhe integritetin moral. Për Panajotin, në seancë trupa relatoi edhe 11 denoncime nga publiku por sipas tyre nuk ishin gjetur element për riçelje hetimi. I është shtuar listës së kandidatëve për SPAK që nuk kanë kaluar Vettingun, prokurori “rebel” i Krimeve të Rënda Eugen Beci. Gjatë hetimit, prokurori i dosjes së kokainës së Xibrakës rezultoi se kishte probleme me një apartament si dhe me shlyerjen e një kredie të marrë për blerjen e tij. Ai ka qenë gjithashtu një nga prokurorët që i ka dalë kundër kryeprokurores së përgjithshme të përkohshme, Arta Marku, duke refuzuar që të merrte çështjen “Shullazi”. Për këtë arsye, ndaj tij, u nis një hetim disiplinor. Me vendimet që Vetting-u do të japë për Ilir Mustafaj dhe Anila Kristanin pritet të zgjidhet ngërçi për plotësimin e kushtetueses.