Sali Berisha nuk do të jetë më pjesë e grupit parlamentar të PD. Kryedemokrati Lulzim Basha dje në mbrëmje ka shkundur nga themelet partinë, duke përjashtuar nga partia themeluesin e saj. Pas 30 vitesh dominimi në politikë, Berisha largohet në mënyrën më të turpshme nga partia që ai themeloi dhe drejtoi.
Sot mblidhet Kuvendi dhe të gjithë prisnin një qëndrim nga kryedemokrati Basha, i cili ka surprizuar jo pak duke vendosur të dalë kundër Berishës dhe të rreshtohet në krah të SHBA. Berisha u shpall “non grata” si person i përfshirë në afera korrupsioni dhe SHBA e bëri të qartë se ai nuk do të jetë në Parlament. Me këtë lëvizje amerikanët mbyllin hesapet me Berishën dhe e bëjnë preh shumë të lehtë përballë drejtësisë. Ai do ketë imunitet deputeti ligjërisht, por aspak imunitet politik nga PD.
Deri më tani Berisha mbrohej falë petkut të PD, por jashtë këtij grupi nuk do e ketë të lehtë. Deri më sot nuk ka shkuar kurrë në prokuroi e gjykata, por Basha tani ja hoqi gjithë këtë mbrojtje.
Qëndrimi i Bashës
Kreu demokrat Lulzim Basha, u shpreh se PD duhet të jetë krah SHBA. “Ne i konsiderojmë SHBA aleatin tonë strategjik më të rëndësishëm për Shqipërinë. Z. Berisha ka bërë të qartë se kjo është një çështje personale e tij dhe ku Partia Demokratike dhe Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike nuk duhet të përfshihen.
Për të shmangur çdo keqkuptim dhe për të konkretizuar këtë qëndrim të vetë z. Berisha, kam vendosur që deri në përfundimin e shqyrtimit të kërkesës ligjore për transparencë dhe zbardhjes së plotë të kësaj çështje në rrugë gjyqësore, z. Berisha nuk do të jetë anëtar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Kjo do të shmangte keqpërdorimin e çështjes nga kushdo, për të dëmtuar interesin e demokratëve dhe Partisë Demokratike dhe do i hiqte alibinë cilitdo për të mbrojtur të keqen e vetme të Shqipërisë që është keqqeverisja dhe korrupsioni 8-vjeçar i Edi Ramës”, tha Basha.
Raportet me SHBA
Në fjalën e tij Basha u shpreh se PD kërkon transparencë në këtë aspekt, ndërsa deklaroi se ka ardhur koha që të gjithë të sakrifikojnë për të mirën e PD. “Ju më keni besuar drejtimin e Partisë Demokratike për të marrë edhe vendime që lëkundin emocionet tona. Mirëpo, secili prej nesh, duke nisur nga unë i pari, ka detyrimin për të sakrifikuar nga vetja për interesin e Partisë Demokratike, për interesin e demokratëve, për interesin e qytetarëve shqiptarë.
Vetëm në këtë mënyrë ne justifikojmë besimin e marrë ndër vite nga demokratët dhe besimin që qytetarët shqiptarë kanë tek Partia Demokratike, si e vetmja alternativë qeverisëse që do të bëjë realitet ndryshimin real për shqiptarët dhe aspiratën e tyre për Shqipërinë si gjithë Europa”, tha Basha. Më tej lideri demokrat e ka bërë të qartë se ai është krah amerikanëve. Sipas tij, marrëdhëniet e PD me SHBA janë të pacenueshme. “Nga ana ime prej dy muajsh e gjysmë kam bërë të gjitha përpjekjet më intensive për gjetjen e një zgjidhje në lidhje me këtë çështje.
Partneriteti i Partisë Demokratike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është i pacenueshëm dhe do duhet të vijojë të mbetet i tillë, në interes të demokratëve, në interes të së ardhmes së Shqipërisë”, tha kreu demokrat. Kjo ngjarje ka shkundur PD, ku kanë plasur debatet. Njerëz pranë Berishës kanë nisur sulmet, ndërsa dhe deputetë brenda partisë janë rreshtuar kundër. Sinjalet janë se do kemi zhvillime të forta në PD në ditët në vijim.