Byroja Kombëtare e Hetimit duket se do të jetë një institucion tërësisht në dorë të amerikanëve. Pas testit fizik, dje kandidatët për kreun e BKH-së i janë nënshtruar provimit me shkrim, ndërsa shumë shpejt do të duhet të kalojnë provën e poligrafit. Sipas burimeve, i gjithë procesi i zgjedhjes së kreut të BKH-së po monitorohet nga ambasada e SHBA dhe OPDAT.
Të gjitha testet, rregulloret dhe aktet legjislative janë hartuar prej tyre. Po ashtu do të vijnë ekspertë që do të merren me trajnimin e hetuesve të BKH-së. Ndërkohë USAID në Shqipëri ka publikuar një postim në faqen zyrtare, ku tregon se USAID mbështet reformën në drejtësi. “Ç’është sundimi i ligjit? Është parim i qeverisjes, sipas të cilit të gjithë personat, institucionet dhe organizatat, publike dhe private, si dhe vetë shteti, u binden ligjeve në fuqi: që janë të shpallura publikisht, që zbatohen njëlloj nga të gjithë, dhe që gjykohen në mënyrë të pavarur; si dhe që janë në përputhje me normat dhe standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Klikoni në dokumentin bashkëngjitur për të mësuar se si USAID mbështet Sundimin e Ligjit”, shkruhet në faqen zyrtare të USAID.
Ambasadorja e SHBA bën thirrje
Në kuadër të reformës në drejtësi, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim përmes një deklarate në rrjetet sociale, ka treguar prioritetet që Amerika ka në Shqipëri, duke numëruar tre të tilla. Por hyrjen e fjalës së saj Yuri Kim vendos ta nisë me mirënjohje. Ambasadorja shprehet se ndihet e nderuar që gëzon postin e ambasadores, ndërsa nuk mungoi as një background i shoqërisë së SHBA-së me vendin tonë. “Ndihem thellësisht e nderuar që shërbej si Ambasadore e SHBA në Shqipëri. Për më shumë se dy dekada, kam pasur privilegjin t’u shërbej SHBA-ve si diplomate. Nga Pekini në Bagdad e shumë vende ndërmjet tyre jam përpjekur të forcoj marrëdhëniet e SHBA nëpër Botë. Përgjatë 23 viteve të mia në Uashington kam punuar mbi shumë nga prioritetet tona kyçe të politikës së jashtme duke ndihmuar për të sjellë paqe dhe begati.
Jam e kënaqur që vij në Shqipëri, që shënon 100 vjetorin e njohjes së Pavarësisë së Shqipërisë nga SHBA. 100 vjet më parë presidenti Willson kundërshtoi ndarjen e Shqipërisë midis fqinjëve të saj dhe ndihmoi në rrugëtimin e Shqipërisë si anëtare e Lidhjes së Kombeve në dhjetor të 1920. Ashtu si SHBA ka mbështetur Shqipërinë gjatë viteve, Shqipëria ka qenë mike e SHBA. Jam e privilegjuar të ndodhem këtu sot”, tha ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ndërsa pas kësaj, përmendi dhe prioritetet që ajo si ambasadore ka, gjatë viteve që do të qëndrojë në Shqipëri, duke mos lënë pa bërë thirrje për të vijuar me reformat, në kuadër të integrimit me Bashkimin Europian. “Gjatë mandatit tim këtu unë kam në plan të punoj mbi tri prioritete. Së pari do të punoj për të thelluar marrëdhëniet tona në fushën e mbrojtjes që Shqipëria të bëhet aleate më e fortë dhe më e aftë. Së dyti do të vijoj të nxis zhvillimin demokratik të Shqipërisë për të mbështetur përpjekjet tuaja për anëtarësim në BE.
Aspiratat europiane të Shqipërisë dhe reformat që ato kërkojnë do të sjellin më shumë begati dhe qëndrueshmëri për ju dhe rajonin. Së treti, do të punoj për të nxitur eksportet dhe investimet e SHBA në Shqipëri, në mënyrë që të krijojmë më shumë vende pune dhe mundësi për amerikanët dhe shqiptarët. Po pres me kënaqësi që të njoh Shqipërinë”, përfundoi Yuri Kim./ORNELA ÇELPICA