Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shkundur dje nga themelet institucionin e Presidencës. Sulmet ndaj ambasadorëve dhe tentativat e shumta për të zhbërë reformën në drejtësi duket se do t’i kushtojnë jashtëzakonisht shtrenjtë Ilir Metës.
Dje presidenti ka marrë një shuplakë të fortë nga vetë Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken. DASH ka publikuar një listë me 12 personazhet më të fuqishëm në luftën ndaj korrupsionit në të gjithë botën dhe mes tyre është emri i Ardian Dvoranit, gjyqtarit nga Shqipëria. Ai është vlerësuar për angazhimin e tij në zbatimin e reformës dhe rezistencën ndaj presionit politik.
“Si nismëtar kryesor i reformimit të sistemit gjyqësor të Shqipërisë gjyqtari Ardian Dvorani zhvilloi mekanizma për të zvogëluar ndikimin politik dhe kriminal në sistemin e drejtësisë, hapa që kontribuuan në vendimin e BE-së në mars 2020 për të hapur negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë dhe çuan në mbrojtje kushtetuese për institucionet e reja antikorrupsion të Shqipërisë”, thuhet në motivacionin e amerikanëve. Çmimi i ri “Kampionët Ndërkombëtarë të Antikorrupsionit”, siç u shpreh Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, vlerëson individë që kanë punuar pa u lodhur, shpesh në kushte të vështira, për të mbrojtur transparencën, luftuar korrupsionin dhe për të siguruar mbajtjen e përgjegjësisë në vendet e tyre.
Mesazhi amerikan
Vlerësimi ndaj Ardian Dvoranit është padyshim një shuplakë ndaj presidentit Ilir Meta, pasi gjyqtari njihet si armiku më i fortë i kreut të shtetit. Meta bëri një luftë të ethshme kundër tij derisa e largoi nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Po ashtu e sulmoi dhe anatemoi publikisht ndërsa e paditi dhe në SPAK për shpërdorim detyre. Por duhet theksuar se Ardian Dvorani është i vetmi gjyqtar që i doli kundër presidentit në gjyqin e aferës me bllokun 700 mijë euro. Ai ishte pro ekspertizës ndërkombëtare, e cila nëse do të ishte pranuar, presidenti do të ishte ndoshta në burg sot. Kohët e fundit flitej në korridoret e politikës se amerikanët po punojnë për të shkrirë LSI dhe nxjerrë Ilir Metën jashtë loje, ndërsa dje kjo u konfirmua. Ish-deputeti i LSI, Gledion Rehovica pak ditë më parë tha se ndërkombëtarët u kanë kërkuar funksionarëve të LSI të braktisin LSI. Nga ana tjetër PD e braktisi Kryemadhin. Tani DASH dekoron armikun e Metës. Të gjitha këto tregojnë se presidenti dhe partia e gruas së tij janë në prag të humnerës.
Bien kambanat për Ilir Metën
Meta prej kohësh ka folur për një bandë ndërkombëtare, por duket se tashmë do i ketë keq punët. Dekorimi i Dvoranit është sinjal i qartë i amerikanëve se presidenti është në shënjestër, në një kohë kur BKH është drejt zyrtarizmit, ndërkohë që SPAK ka nisur të hapë dosjet e bujshme. Reagimet dje të Metës tregojnë fare qartë se dekorimi i Dvoranit ka rënë si bombë në Presidencë, pasi nëse vihesh në shënjestër të Uashingtonit, është shumë e vështirë që të dalësh. Gjatë kohës që Joe Biden ishte zv/president, në Tiranë flitej për arrestimin e Ilir Metës. Vetë ish-kryeprokurori Adriatik Llalla tha në atë kohë se ish-ambasadori Donald Lu i kishte kërkuar arrestimin e Ilir Metës. Pasi ra administrata “Obama”, ra qetësia në LSI. Në atë kohë po ashtu ishte dhe procesi gjyqësor ndaj Kastriot Ismailit të CEZ-DIA ku ishte një kambanë alarmi për presidentin. Të gjitha u shuan si me magji pas ardhjes së Trump në pushtet. Por kthimi i Biden në Shtëpinë e Bardhë duket se është kambanë alarmi për kreun e shtetit. Vetë presidenti ka bekuar listën me 12 emra, ku spikat Ardian Dvorani, armiku më i ashpër i presidentit./Kliti Topalli