Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë dje një tjetër goditje të fort ish-kryeministrit Sali Berisha dhe “Foltores” së udhëhequr prej tij. Gazeta “SOT”, referuar edhe deklaratave të bërë pak javë më parë nga zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar dhe
Aambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, ka deklaruar në mënyrë sistematike se Uashingtoni nuk bashkëpunon me Sali Berishën. Ky i fundit pretendon se është lider legjitim i Partisë Demorkatike dhe përveçse ka uzurpuar godinë e PD pa folur ende gjykata, ka emëruara me poste, shumë besnikë të tij, duke mos njohur kështu grupin e Bashës dhe Alibeajt.
Por çdo ditë që ka kalon, po shtohen sinjalet, se Berisha dhe lëvizja e tij antiamerikane, është “non grata” për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ka qenë vetëm ambasadorja Yuri Kim, e cila dje ka zhvilluar një vizitë në Kryesinë e Kuvendit, ku përveçse ka takuar kryetaren e Parlamentit, Lindita Nikollën, është takuar edhe me deputetin demokrate, Agron Gjekmarkaj, i cili njihet si një ndër kritikët më të mëdhenj të Berishës.
Kjo lëvizje e zonjës Kim, e cila teksa ishte duke folur dje për mediat, paralajmëroi se në ditët në vijim do të takohet edhe me eksponentët e tjerë legjitim të mazhorancës dhe opozitës, që në këtë rast i bie zoti Enkelejd Alibeaj, është një goditje e fortë për Berishën dhe grupin e tij. “Është e rëndësishme që të angazhohemi në mënyra që theksojnë rëndësinë e ligjeve dhe mbajtjen e rregullave si dhe forcimin e institucioneve demokratike.
Kjo është arsyeja pse ndodhesha këtu. Do vazhdojmë të takohemi me drejtuesit që janë të zgjedhur në mënyrë legjitime dhe kanë rol legjitim për të luajtur në luftën kundër korrupsionit”, deklaroi Kim. Pra, thënë troç, Berisha dhe “Foltorja” për amerikanët nuk ekziston. Kjo pasi kreu i “Foltores” akuzohet nga Departamenti Amerikan i Shtetit se është përfshirë në korrupsion dhe se bashkëpunimi për të luftuar këtë fenomen, amerikanët do ta bëjnë me ata individë që janë të pastër dhe jo me ish-kryeministrin.
Ambasada jep detaje nga takimi i Kim me Nikollën dhe Gjekmarkajn
Por sa i takon takimeve të ambasadores Kim me kryeparlamentaren Nikolla dhe deputetin Gjekmarkaj, dje ka reaguar edhe ambasada e SHBA në Tiranë. Përmes një postim në “Tëitter”, ambasada theksoi se gjatë takimeve ambasadorja shprehu urime lidhur me hapjen e sesionit të ri parlamentar duke theksuar përgjegjësinë e ligjvënësve për të forcuar demokracinë dhe për të luftuar korrupsionin. ” Ambasadorja Kim u takua sot me Kryetaren e Kuvendit Nikolla dhe më pas, veçmas, me zëvendëskryetarin Gjekmarkaj për t’u shprehur urimet më të mira për seancën e sapoçelur parlamentare, e cila do të diskutojë dhe vendosë për një sërë çështjesh të rëndësishme.
Ajo përsëriti përgjegjësinë e ligjvënësve në forcimin e demokracisë dhe luftën kundër korrupsionit, veçanërisht teksa Shqipëria negocion zyrtarisht anëtarësimin e saj të plotë në Bashkimin Evropian. Ambasadorja do të takohet edhe me liderë të tjerë për të nënvizuar rëndësinë e ndjekjes së ligjeve, zbatimit të rregullave dhe forcimit të institucioneve demokratike”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë.
Gjekmarkaj: Me Yuri Kim shkëmbyem mendime për sfidat demokratike
Ndërkohë, edhe deputeti Gjekmarkaj ka reaguar në rrjetet sociale, teksa ka ndarë detaje nga takimi që ai zhvilloi me ambasadoren Kim. Në një postim në “Facebook” Gjekmarkaj është shprehur se në këtë takim ka shkëmbyer mendime për sfidat demokratike me aleatin strategjik (SHBA). “Një takim miqësor e shumë domethënës sot me Ambasadoren e SHBA, Zonjën Juri Kim në fillim të stinës se re parlamentare. Shkëmbyem mendime për sfidat demokratike dhe betejat opozitare si dhe rëndësinë jetike të konsolidimit të marrëdhënieve me aleatin tonë strategjik ku gjithkush në politiken shqiptare duhet të ndiejë përgjegjësinë e vet. Legjitimiteti i institucioneve është kusht i panegociueshëm për konsolidimin e sistemit demokratik dhe progresin e reformave”, shkruan Gjekmarkaj.