Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rritur ndjeshëm interesin për Shqipërinë. Teksa po investohet jashtë mase në sistemin e drejtësisë, një vëmendje e madhe po i kushtohet ushtrisë shqiptare. Rusia kryesisht, por edhe Kina kanë kthyer sytë nga Ballkani.
Shqipëria u bë pjesë e “Defender 21”, stërvitje e cila ishte mesazh për Rusinë. Por duket se përveç kësaj stërvitje, SHBA po vijon punë për të forcuar ushtrinë shqiptare. Sipas një njoftimi në faqen e Departamenti Amerikan të Shtetit, SHBA ka sjellë në Tiranë zotin Tony Medina, i cili ka rolin e këshilltarit të Programit të Reformës së Mbrojtjes Globale (GDRP).
Sipas DASH Tony Medina ka çuar përpara një kuadër të nivelit strategjik për menaxhimin e burimeve njerëzore dhe trajektoren e karrierës të personelit të Forcave të Armatosura Shqiptare (AAF). “Kjo i shtyn përpara kërkesat e Shqipërisë për ndërveprimin ndaj NATO-s në lidhje me strukturën e forcës së saj ushtarake. Për më tepër, puna e Medinës në Shqipëri ndihmon për të riafirmuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për aleatët e NATO-s.
Si rezultat i këtij angazhimi, shefi i Shtabit të Përgjithshëm dhe AAF kanë miratuar një politikë të re për ecjen përpara dhe nëntë politika të tjera janë aktualisht nën shqyrtim nga një komision i posaçëm. Vendosja e këshilltarit siguron një hapje për të mbledhur grupe pune në nivel ministror për të prezantuar qasjet novatore në menaxhimin e personelit të FA”, thuhet në deklaratë.
Sipas të dhënave të internet, Tony Medina është përgjegjës për ripërcaktimin e roleve, misioneve, aftësive, komandës dhe kontrollit, si dhe për strukturën e përgjithshme të ushtrisë shqiptare, duke e përshtatur me objektivat e SHBA. Po ashtu ai është përgjegjës për identifikimin e çdo kuadri ligjor dhe politik që pengon ristrukturimin e forcave ushtarake. Qëllimi i misionit të tij është menaxhimi i burimeve njerëzore, menaxhimi i forcave ushtarake, menaxhimi i asetve, hartimi i planeve të prokurimit dhe i politikave po praktikave të menaxhimit.
Rritja e prezencës amerikane
Gjatë kohës që zhvillohej stërvitja “Defender 21”, mediat ruse, mediat greke dhe ato italiane kanë shkruar disa artikuj ditët e fundit. Portali “lantidiplomatico.it”, ka bërë një artikull të gjatë mbi prezencën e NATO dhe SHBA në Shqipëri, ku shkon deri aty sa shprehet se vendi ynë mund të jetë një nyje e re tensioni NATO-Rusi, teksa ka marrë si shembull Ukrainën. Në artikull thuhet se SHBA po përdor Shqipërinë për t’i dërguar mesazh Moskës.
“Forcat e NATO-s filluan stërvitjen më të madhe ushtarake në Ballkanin Perëndimor në Shqipëri, në një moment kur marrëdhëniet me shtetin rus janë të tensionuara. Anija e Shteteve të Bashkuara Bob Hope, me mundësi rifurnizimi me karburant, mbërriti në portin e Durrësit, në veriperëndim të Shqipërisë, si pjesë e Operacionit “Defender Europe 21”, i cili gjithashtu do të zhvillohet në vendet e tjera të Detit të Zi me partnerë të NATO, nën komandën ushtarake të Shteteve të Bashkuara”, thekson artikulli.
Më tej theksohet e prezenca ushtarake kaq e lartë e NATO dhe e amerikanëve në Shqipëri nuk është gjë tjetër veçse një mesazh për rusët. Ndërkohë interesant është fakti se pas mbarimit të stërvitjes, ushtria amerikane qëndroi në vendin tonë dhe për disa javë, duke vijuar me trajnimet dhe asistencën për ushtrinë shqiptare.