Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë dje një tjetër mesazh se janë të vendosur për të mbështetur Shqipërinë në fusha të ndryshme, sidomos në rrafshin ushtarak.
Pasi u njoftua se një shtab i forcave speciale amerikanë do të kenë qendrën e tyre në vendin tonë, dje në ujërat territoriale shqiptare ka zbarkuar një anije gjigande ushtarake. Lajmin fillimisht e zbuloi kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale, teksa bën me dije ka kaluar një ditë në aeroplanmbajtësen “Harry S. Truman”, e cila po kryen stërvitje në ujërat territoriale shqiptare.
Madje Rama ndau pamje nga aeroplanmbajtësja i pozicionuar në vendin e kapitenit. “Një ditë mbresëlënëse në aeroplanmbajtësen “Harry S. Truman”, e cila po kryen një stërvitje intensive në ujërat tona territoriale, së bashku me forcat e marinës shqiptare”, shkruan Rama.
Prej muajit dhjetor, aeroplanmbajtësja amerikane “USS Harry S. Truman” po qëndron në Mesdhe bashkë me numrin e madh të anijeve dhe avionëve që e shoqërojnë. Pra duket qartë se SHBA është e vendosur për të mbështetur ushtarakisht Shqipërinë dhe po i çon mesazhe të forta Moskës mbi ndikimin në Ballkan.
Ja çfarë është anija gjigande amerikane
“USS Harry S. Truman” (CVN-75) është aeroplanmbajtësja e tetë e klasit Nimitz e Marinës së Shteteve të Bashkuara. Ajo është emërtuar në nder të Presidentit të 33-të të Shteteve të Bashkuara, Harry S. Truman. Harry S. Truman (i njohur gjithashtu si HST brenda Marinës, është 1,092 feet (333 m) i gjatë, 257 feet (78 m) i gjerë dhe është i lartë sa një ndërtesë njëzet e katër katëshe, saktësisht 244 feet ( 74 m).
Super transportuesi mund të strehojë afërsisht 90 avionë dhe ka një kuvertë fluturimi 1,8 hektarë në madhësi. Për të lëvizur aeroplanët midis kuvertës së fluturimit dhe hangarit, përdoren katër ashensorë, që janë 360 m2 secili. Me vetëm një ngarkesë luftarake, HST zhvendos pothuajse 97,000 tonë dhe mund të strehojë 6,250 anëtarë të ekuipazhit. Luftanija përdor dy spiranca Mark II pa stok që erdhën nga USS Forrestal dhe peshojnë 30 ton secila, ku çdo hallkë i zinxhirit të ankorimit peshon 160 kg. Harry S. Truman kushtoi mbi 4.5 miliardë dollarë për tu ndërtuar.
Kjo aeroplanmbajtëse është e teta nga dhjetë aeroplanmbajtëset me energji bërthamore të klasit Nimitz në Marinën e SHBA. Sa i përket kostos operacionale të një aeroplanmbajtëse, në varësi të konfigurimit të saktë të një grupi sulmues transportues, kostoja është diku nga 6 milion deri në 8 milion dollarë në ditë.
Mediat e SHBA njohën shtabit në Shqipëri
Por nga ana tjetër edhe mediat në SHBA dhe gazeta zyrtare e ushtrisë amerikane, kanë dhenë detaje për ngritjen e shtabit të forcave speciale amerikane në Shqipëri. Mediat në fjalë bëjnë me dije se në fakt ngritja e kësaj baze është një goditje e fortë ndaj influencës ruse. Madje vetë gazeta e ushtrisë amerikane ka hedhur më shumë dritë, sipas tyre e gjitha lidhet me rritjen e rolit rus në Ballkan.
“Për Komandën Evropiane të SHBA-së, Ballkani ka qenë një zonë shqetësuese për disa vite, edhe pse situata atje është lënë pas dore për shkak të tensioneve me Rusinë në Baltik dhe në rajonin më të madh të Detit të Zi. Për shembull, vendet e NATO-s kanë fajësuar agjentët rusë për fushatat e destabilizimit në Malin e Zi, një anëtar i aleancës që kufizohet me Shqipërinë. Gjenerali i EUCOM-it Tod Ëolters gjithashtu e ka quajtur Ballkanin “objektiv kryesore të ndikimit të vazhdueshëm malinj rus””, raporton “Stars and Stripes”. /Rigels seliman