Zyrtari më i lartë i inteligjencës në administratën ‘Trump’ doli me një paralajmërim të fortë të enjten kur tha se Kina po përgatitet për “një periudhë konfrontimi të hapur me SHBA”.
Për këtë shkak, ai tha se duhen veprime bipartizane për të adresuar “kërcënimin më të madh për Amerikën sot” dhe “demokracinë në të gjithë botën që nga Lufta e Dytë Botërore “.
“Inteligjenca është e qartë: Pekini synon të dominojë SHBA-në dhe pjesën tjetër të planetit ekonomikisht, ushtarakisht dhe në teknologji”, tha Drejtori për Inteligjencën Kombëtare i SHBA-së, John Ratcliffe, shkruan CNN.
Deklarata e Ratcliffe ishte vetëm paralajmërimi i fundit nga zyrtarë të lartë të administratës Trump për synimet e Kinës sipas tyre, me disa paralajmërime për veprime të mundshme ushtarake në Azi dhe të tjerë që flasin për përpjekje të shpeshta për të ndikuar në administratën e ardhshme të drejtuar nga Joe Biden.
Ratcliffe, një ish-kongresmen republikan i emëruar nga Trump në krye të spiunazhit të SHBA-së në pranverë, tha se strategjia e Kinës ishte që njësitë kineze të vidhnin pronën intelektuale të kompanive amerikane, ta kopjonin atë dhe më pas të zëvendësonin kompanitë amerikane në tregun global.
Një zëdhënës i ambasadës kineze hodhi poshtë komentet e Ratcliffe si “deformuese të fakteve” dhe hipokrite dhe tha se ato treguan “mendësinë e ngulitur të Luftës së Ftohtë dhe paragjykimet ideologjike të disa njerëzve në SHBA”.
Pekini u ka bërë thirrje shpesh udhëheqësve të SHBA-së që të ndalin retorikën e tyre ndaj Kinës.