Pas konferencës për shtyp të përbashkët me liderët e Ballkanit Perëndimor, kryeministri Edi Rama ka folur për mediat, ku ka theksuar edhe një herë tjetër se do të punojë për heqjen e kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës si në të gjitha vendet e Shengenit.
“Kjo nismë nuk është se po pengohet, po anatemohet me pretendime të paarsyeshme dhe përmes avazit të politikës që në vend se të synojë të përmirësojë jetën e njerëzve, synon marrjen peng të tyre, përmes deklaratash me tym patriotik. Në këtë nismë ka një gjë të re që është ajo që unë kam ëndërruar dhe do ta realizoj, e cila është lëvizja e lirë e njerëzve, heqja e kufirit torturues mes Shqipërisë dhe Kosovës. Kufiri do të kthehet në një kalim fluid si në të gjitha shtetet e Shengenit. Askush nuk mund ta kushtëzojë, secili mund të përmirësojë kushtet e lëvizjes së lirë dhe të mallrave”, u shpreh kryeministri.
Rama konfirmoi së më 12 Dhjetor, në Durrës do të mbahet samiti i radhës mes liderëve të Ballkanit Perëndimor.