Muharrem Rama, kryebashkiaku i Dibrës, ka rrëfyer sherrin që ka ndodhur në bashkinë që ai e drejton.
Ai tha se dhuna ka ardhur nga përfaqësues të PDIU-së.
Rama tha për ‘News24’ se ai vetë nuk është shoqëruar nga policia.
“Jo nuk ka të shoqëruar nga bashkia. Kemi bërë disa transferime paralele.
Rreth orës 9 kanë ardhur 30 veta, me një performancë shumë të dobët në punë dhe ne si bashki duhet të ngremë performancën.
Janë dhunuar zyrat e bashkisë nga përfaqësues të PDIU-së. Janë 4 të lënduar.
Unë jam te spitali i Peshkopisë duke u dhënë ndihmën të lënduarve.
Kanë disa plagë në kokë, janë dëmtuar me shkop bejsbolli dhe shufra hekuri”, rrëfeu Rama, që me profesion është mjek.
Sherri ka ndodhur gjatë mbledhjes së administratës dhe shkak për këtë është bërë emërimi i drejtorit të Burimeve Njerëzore nga një zonë tjetër.
Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe ka shoqëruar në komisariat personat e përfshirë në sherr, mes të cilëve u tha fillimisht se u shoqëruan edhe drejtuesit e Bashkisë.