Në Shqipëri, popullata e burgjeve i kushton shtetit shifra marramendëse. Vetëm për një person të mbajtur në qeli, shpenzohen mbi 18 mijë euro në vit.
Nëse do t’i referoheshim të dhënave zyrtare për numrin e të burgosurve dhe të paraburgosurve në fund të dhjetorit të kaluar, rezulton se përgjatë vitit 2025, nga buxheti i shtetit, janë harxhuar mbi 90 milionë euro, nga të cilat, më shumë se gjysma për ata që kanë qenë në paraburgim
Gjatë gjithë vitit 2025 në burgjet shqiptare u numëruan 4963 persona gjithsej. Fundi i vitit gjeti në qeli 1934 të dënuar me vendim të formës së prerë dhe 2569 , ose 57 përqind e totalit, ishin ende të arrestuar nën hetim ose në pritje të përfundimit të procesit gjyqësor dhe një vendimi përfundimtar.
POPULLATA E BURGJEVE NE FUND TE VITIT 2025
Të Paraburgosur 2.569 (57 përqind)
Të dënuar 1934
Çështja e numrit të lartë të të paraburgosurve është kthyer prej shumë muajsh në një temë debati, i lidhur më së shumti me aspekte që kanë të bëjnë me respektimin e të drejtave të njeriut. Por ka dhe një tjetër aspekt që lidhet me një faturë jo të vogël financiare.
Gjatë vitit të kaluar, shteti shpenzoi afro 55 milionë euro si mbështetje për ndihmën ekonomike ofruar afro 50 mijë familjeve. Ndërsa nëse do t’i referohemi, shifrave të fundvitit për popullatën e burgjeve, nga buxheti i shtetit, për këta të fundit, kanë dalë mbi 90 milionë euro, prej tyre 47.8 milionë vetëm për të paraburgosurit.
SHPENZIMET PËR TË PARABURGOSURIT
Kosto vjetore për të paraburgosurit 47.821.935 euro
Kosto mujore per të paraburgosurit 3.985.161 euro
Kosto ditore për të paraburgosurit 131.019 euro
Në Shqipëri kostoja ditore për një person të mbajtur në qeli, përfshirë të gjitha shpenzimet, nga ushqimi, siguria, apo trajtimi shëndetësor, është 51 euro në ditë, ose 18 mijë e 615 euro në vit.
SHPENZIMET DITORE, MUJORE E VJETORE
Kosto vjetore për një person në qeli 18.615 euro
Kosto mujore për të dënuar e të paraburgosur 7.698.853 euro
Kosto vjetore për të dënuar e të paraburgosur 92.386.245 euro
Sipas të dhënave zyrtare, kohëzgjatja mesatare e qëndrimit në paraburgim në Shqipëri, llogaritet në 253 ditë krahasuar me 155 në vendet evropiane apo 63% më e lartë. Ndërsa në Bashkimin Evropian, mesatarisht vetëm një në çdo pesë persona në sistemin penitenciar është i parabugosur. Duke iu referuar kësaj mesatareje, në fund të dhjetorit të kaluar Shqipëria do të duhej të kishte në total 2417 persona në institutet e saj penitenciare, nga të cilët vetëm 483 do duhej të ishin të paraburgosur.
Në një situatë të tillë, teorikisht, shteti do të kishte kursyer 3.2 milionë euro në muaj ose 38.8 milionë euro në vit. Një shumë e barabartë me 70 përqind të asaj që shpenzohet për ndihmën sociale.
Numri i lartë i të paraburgosurve është një problem i vjetër në Shqipëri. Në dy raportet e Komitetit Kundër Torturës, të Këshillit të Evropës, si në 2019 dhe në 2023, autoriteteve shqiptare u është kërkuar të bëjnë përpjekje të forta për të kufizuar përdorimin e paraburgimit.
Por vetëm së fundmi kjo çështje ka marrë vëmendje dhe autoritetet kanë nisur konsultime dhe me ekspertë të huaj. Kritere dhe kushte të vendosura qartë se kur duhet marrë një masë sigurie arrest me burg, ndryshime ligjore që përcaktojnë një numër veprash penale për të cilat nuk mund të vendoset paraburgimi apo dhe detyrimi i gjykatave që të shikojnë masat alternative si prioritare, janë propozimet e para të bërë nga ekspertë ndërkombëtarë për të adresuar problematikën me shifrat e paraburgimit në vend.


