Në harkun kohor të 40 ditëve Shqipëria është vënë dy herë, nën shënjestrën e shërbimeve sekrete jo mike me Shqipërinë.
Fillimisht nga shërbimi sekret Iranian që ndërmorën një sulm masiv kibernetik dhe të shtunën nga GRU shërbimi sekret ushtarak rus apo ai i jashtëm SVR duke tentuar hyrjen në uzinën ushtarake të Gramshit.
Këto zhvillime e gjejnë Shqipërinë pa drejtorin e Shërbimit Informativ Shtetëror në detyrë. Në këto kohë kritike për Shqipërinë ku SHISH merr një rol parësor, për plot 12 muaj shërbimi sekret shqiptarë nuk do të drejtohet nga drejtori Helidon Bendo.
Gazetari Top Channel Muhamed Veliu, nga një burim në institucionit e inteligjencës shqiptare, mëson se zoti Bendo prej dy muajsh ka shkuar, në SHBA në një kurs trajnimi me kohë të plotë për një vit.
Në të tilla kushte SHISH deri në përfundim të kursit të Helidon Bendos, do të drejtohet nga një zyrtarë me kompetenca të deleguara. Në SHISH prej shumë kohës nuk është plotësuar vendi vakant i zëvendës-drejtorit që mund të merrte në dorë stafetën e drejtimit.
Vendimi Helidon Bendos për të ndjekur këtë kurs është marrë në një kohë kur Shqipëria ndeshet me sfida të shumëfishta sigurie si pasojë e luftës në Ukrainë dhe së fundmi u përball me një sulm të fortë kibernetik me origjinë nga Irani dhe shtimin e aktivitetit të spiunazhit rus.
Në kushtet e anonimatit një zyrtar i SHISH i tha Top Channel se ky vendim i kreut të SHISH është i paprecedentë në historinë e shërbimit informativ shqiptarë.
“Asnjëherë nuk ka ndodhur të largohet nga Shërbimi Informativ për një kohë kaq të gjatë drejtuesi institucionit aq më tepër kur sfidat e sigurisë ditët e sotme në Shqipëri janë shumëfishuar”.
Gazetari Top-Channel Muhamed Veliu përmes postës elektronike pyeti drejtorinë për marrëdhëniet me publikun në SHISH, nëse largimi 12 mujor i zotit Bendo për trajnim në SHBA e cënonte efikasitetin e drejtimit të SHISH./Top-Channel
Në përgjigje thuhet: “Kompetencat e drejtorit të SHISH-it, në mungesë të zëvendës drejtorit i janë deleguar dhe i delegohen zyrtarit më të lartë në nivel drejtues, pas postit të drejtorit të SHISH. Shërbimi Informativ i Shtetit ka ushtruar dhe vazhdon të ushtrojë të gjitha detyrat dhe përgjegjësitë e tij ligjore, me efikasitet dhe kapacitet të plotë në përmbushje të misionit dhe veprimtarisë të përcaktuar me ligj”.
Në përgjigjen e SHISH nuk jepet emri zyrtarit të cilit i janë deleguar kompetencat e drejtorit por Top Channel mëson se në mungesë të Helidon Bendos, inteligjenca shqiptare po drejtohet nga Rafail Milo një zyrtar i vjetër në institucion, që ka mbajtur detyrën e drejtorit të drejtorisë juridike dhe ekonomike.